Malaj: Të riorganizohet drejtimi i bankës

13/08/2014 00:00

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaron se skandali i vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, veç përmirësimit të ligjit, shtron nevojë urgjente edhe për riorganizimin e strukturave drejtuese të bankës.

“Në mënyrë të menjëhershme, sapo të fillojë nga puna Kuvendi i Shqipërisë duhet të plotësojë të gjithë vendet vakante, pasi 1/3 nga 9 anëtarët e organeve drejtuese të Bankës Qendrore nuk është në funksion. Mungon zv/guvernatori i cili është përgjegjës pikërisht për këtë pjesë të organizimit të Bankës Qendrore, si dhe dy anëtarë të Këshillit Mbikqyrës. Njëkohësisht duket edhe nga deklaratat publike të kolegëve të Komisionit të Ekonomisë, që do të ketë një analizë më të thellë, e cila besoj të jetë mbi të gjitha profesionale, lidhur edhe me menaxhimin aktual të bankës dhe përgjegjësitë respektive”, u shpreh ish-ministri Arben Malaj.

Por, a nënkupton ky riorganizimin largimin e guvernatorit dhe të anëtarëve ekzistues të Këshillit?

“Unë besoj se një analizë më e plotë do të përcaktojë edhe hapat e nevojshme. Pra, duhet të bëjmë dallimin mes dorëheqjes, që është diçka e përgjegjësisë morale që ndien gjithkush, nga shkarkimi, që është një atribut që e ka qeveria dhe Parlamenti”, vijoi më tej zoti Malaj.

Për ish-kreun e Financave, vjedhja në Bankën e Shqipërisë është pasojë e keqmenaxhimit.

“Problemi i shfaqur me vjedhjen e bankës nga vet punonjësit e bankës, tregon për difekte në administrimin e bankës, sidomos në pjesën që ka të bëjë me administrimin e vlerave monetare. Funksioni i emetimit të monedhës, ai i tërheqjes së monedhës së dëmtuar, ai i dëmtimit të tyre dhe zëvendësimit të tyre, janë funksione që kanë lindur bashkë me Bankat Qendrore. Në këtë kuptim, kuadri ligjor ka qenë i qartë, ajo që mbetet shqetësuese dhe për të ndarë më pas përgjegjësinë finale e morale, është cilët kanë qenë difektet në zbatimin rigoroz të ligjit, që na kanë krijuar këtë problem dhe këtë rast, i cili është specifik në natyrën e bankave qendrore të çdo vendi”, deklaroi Arben Malaj.

Prej më shumë se një javë, në disa rrethe të vendit, qytetarët janë duke hedhur firmat, përmes të cilave i kërkojnë Parlamentit të mblidhet urgjentisht për të shkarkuar guvernatorin. Por, ditët e fundit, zërat që kërkojnë largimin e guvernatorit po vijnë edhe nga politika, veçanërisht nga disa deputetë të mazhorancës.

Top Channel