Hetuesit “kërkojnë” të penduarit e bankës

13/08/2014 00:00

Prokuroria e Tiranës shpreson të tërheqë në bashkëpunim dy nga të dyshuarit në skandalin e vjedhjes së Bankës së Shtetit, Petrit Ramohitajn, ish-përgjegjës i Arkës në Veprim dhe Bashkim Xhilagën, ish-përgjegjës i të dyja arkave.

Një burim jozyrtar i tha Top Channel se dy ish-nëpunësve të Degës së Thesarit u është ofruar mundësia e bashkëpunimit për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhte brenda mureve të Thesarit, pasi besohet se ata kanë informacion të nevojshëm për procesin hetimor, aq më tepër që paraprakisht ka të dhëna se ata nuk janë të  implikuar direkt në procesin e vjedhjes së 713 milionë lekëve, por thjesht kanë shpërdoruar detyrën me mosveprimet e tyre.

Në fakt Xhilaga dhe Ramohitaj u pyetën nga Prokuroria e Tiranës edhe javën e kaluar ku edhe  u shprehën se s’kishin asnjë faj, por gjithë përgjegjësia, sipas tyre, qendron tek eprorët. Në rrëfimin e parë të tyre të dy burrat thanë se drejtuesit e kishin lënë Departamentin pa Rregullore dhe nuk kuptohej se çfarë detyre kishte njëri apo tjetri.

Ishte kjo deklaratë që solli 12 orë më vonë arrestimin e ish-drejtorit Dorian Çollaku,  i dyshuar edhe me Mimoza Bruzian si bashkëpuntorët e ngushtë të Bitrajt.

Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton po ashtu se lëvizjet e ish-drejtorit Çollaku jashtë vendit janë të shpeshta, vetëm për gjashtë muaj, tha një burim i Prokurorisë së Përgjithshme, ai ka dalë nga Shqipëria 30 herë dhe shumica e këtyre udhëtimeve është me destinacion Greqinë.

Përveç seancave të pyetjeve menjëherë pas arrestimit asnjëri nga 10 të dyshuarit nuk është vizituar në paraburgim nga grupi i hetimit. Në fakt duket se organi i hetimit po ndjek një strategji të re, që mesa duket synon lodhjen nervore të ndonjerit prej të dyshuarve e për rrjedhojë dorëzimin e tyre për të folur në mënyrë të detajuar.

Prokuroria vijon t’i kërkojë paraburgimit 302 dhe 313 që nëntë nga të arrestuarit të mos takohen nga asnjë i afërm apo avokat. I vetmi person që me sa duket nuk përbën sekret për prokurorinë është nipi i Bitrajt, Klevis Bejtjaj, i dyshuar për moskallzim krimi,  për të cilin prokuroria i thotë administratës së 302 , se 27-vjeçari mund të vizitohet nga të afërmit dhe avokatët.

Klevis Bejtjaj del i implikuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë teksa pret Bitrajn, kur del nga Departamenti i Thesarit me lekë të fshehura në trup.

Mbahen tek burgu 302

1. Ardan Bitraj
2. Dhimitër Davidi
3. Lavdim Canaj
4. Klevis Bejtaj

Janë derguar tek burgu 313

1. Dorian Çollaku
2. Mimoza Bruzja
3. Myzejen Belba
4. Bashkim Xhilaga
5. Petrit Ramohitaj
6. Liljana Tusha

Top Channel