Franca, ndihma ushtarake kurdëve irakenë

13/08/2014 00:00

Franca ka njoftuar se do të dërgojë armë për forcat kurde në mbështetje të betejës së tyre kundër grupit militant Shteti Islamik.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti Francois Hollande, i cili ka saktësuar se armatimet do t’u dorëzohen kurdëve irakenë në orët e ardhshme.

Sipas raportimeve të mediave franceze, Parisi zyrtar ka marrë dritën jeshile nga autoritetet në Bagdad për vendimin në fjalë.

Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra e zotit Hollande thuhet se, “armët do të shpërndahen si përgjigje ndaj nevojës urgjente të shprehur nga autoritetet rajonale në Kurdistan”.

“Prej disa ditësh Franca ka marrë masat e duhura për të mbështetur kapacitetet operacionale të forcave që luftojnë IS-in”, thuhet në deklaratë.

Në të theksohet më tej se, përballë situatës katastrofike me të cilën po përballet popullsia e Kurdistanit iraken komuniteti ndërkombëtar duhet të mobilizohet.

Ndërkohë, kryeministri David Cameron ka deklaruar se Britania do të luajë një rol të rëndësishëm në misionin ndërkombëtar për shpëtimin e refugjatëve të komunitetit Yazidi në Irak.

Duke folur pas takimit të komitetit të emergjencës të njohur ndryshe si Cobra, Cameron tha se për operacionet po hartohen plane të detajuara.

Mbretëria e Bashkuar ka realizuar tashmë raundin e tretë të ndihmave nga ajri për banorët që po mundohen t’u shpëtojnë militantëve islamikë përmes maleve.

Helikopterë britanikë të tipit “Chinook” pritet të mbërrijnë më vonë në Qipro, ndërkohë që avionë tip “Tornado” të Aviacionit Mbretëror po përgatiten për misione mbikëqyrjeje për të mbështetur shpërndarjen e ndihmave.

Gjithashtu, edhe një avion transporti i ngarkuar me ushqime dhe ujë të pijshëm është nisur për të çuar ndihmat në zonën e rrezikut.

“Na duhet një plan për t’i larguar ata njerëz nga ai mal dhe t’i çojmë në një vend të sigurtë. Mund të konfirmoj se një seri planesh të detajuara po hartohen dhe Britania do të luajë një rol kyç në këtë mision”, deklaroi Cameron.

Megjithatë, kryeministri refuzoi të thoshte nëse helikopterët “Chinook” do të përdoren gjithashtu për transportimin e refugjatëve në vendet e sigurta.

I pyetur mbi nevojën e mbledhjes së Parlamentit për këtë çështje, Cameron shtoi: “Ky është një operacion humanitar në të cilin është përfshirë dhe Britania, kështu që nuk mendoj se është e nevojshme të thërrasim Parlamentin”.

Top Channel