Çekia mbështet reformën territoriale

13/08/2014 00:00

Ambasadorja çeke Bronislava Tomasova ka vlerësuar nga Korça reformën e re territoriale, ndërsa është ndalur edhe tek presionet e opozitës me bojkot të zgjedhjeve duke theksuar se kjo reformë është pozitive teksa i paraprin decentralizimit.

“Reforma territoriale është një nga reformat që ishte e domosdoshme për t’u ndërmarë në Shqipëri. Ajo do lehtësojë shpenzimet administrative dhe do sigurojë shërbime më të mira për qytetarët. Ka qenë një proces shumë i gjatë konsultimesh dhe trupa monitoruese është angazhuar gjatë në këtë çështje. Opozita është ftuar disa herë për të marë pjesë në grupin parlamentar lidhur me këtë reformë, por me dëshirën e saj vendosi që të mos merrte pjesë në sesionin e qershorit. Besoj se reforma territoriale do zbatohet në mënyrë të suksesshme dhe do të ndiqet nga decentralizimi. Shpresoj se opozita do të gjejë një mënyrë për të marë pjesë në zgjedhje, sepse njerëzit janë të interesuar e të vendosur për këtë”, ka deklaruar Tomasova.

Ndërsa ka zhvilluar një takim shoqëror në Bashkinë e Korçës, ambasadorja është ndalur edhe tek akuzat e përsëritura të opozitës në lidhje me arritjen e marrëveshjes mes qeverisë dhe kompanisë CEZ, çka sipas saj nuk përcjell një frymë të mirë në marrëdhëniet dypalëshe.

“Besoj se në lidhje me këtë marëveshje ka pasur deklarata nga shumë palë të përfshira dhe nga organizata të rëndësishme, të cilat janë të përfshira në fushën e energjitikës në Shqipëri. Ato i dinë shumë mirë sfidat që ka ky sektor, zhvillimi i tij dhe përpiqen ta zhvillojnë atë. Nga ana bilaterale mund të themi se kjo ka ndikim negativ në këtë bashkëpunim dhe nuk e favorizon situatën. Qëndrimi i ambasadës çeke u publikua dhe besojmë se nëse të dyja qeveritë duan të kenë marrëdhënie bashkëpunimi, atëherë duhet të kenë frymë miqësore dhe të afërta me njëra-tjetrën. Çekia është anëtarë e BE-së dhe Shqipëria aspiron të bëhet, ndaj mendoj se disa nga çështjet themelore që synon BE është fryma e bashkëpunimit mes qeverive. Unë besoj se një frymë bashkëpunimi për këtë proces që ka nisur do të arrihet dhe shpresoj në marrëdhënie të mira bilaterale”, ka thënë diplomatja.

Ambasadoria Tomasova ka ndaluar në qytetin e Korçës për të çelur festën e birrës dhe për të qenë pjesë e saj.

Top Channel