Britani, papunësia në minimumin 6-vjeçar

13/08/2014 00:00

Papunësia në Mbretërinë e Bashkuar iu afrua minimumit 6-vjeçar në tre muajt deri në fund të qershorit. Kështu sugjerojnë shifrat e publikuara.

Zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi se kuota e papunësisë ra në 6.4 për qind në këtë tremujor, që është dhe më e ulëta që prej fundit të 2008-ës dhe pak më ulët se 6.5 për qind e regjistruar në muajin maj.

Numri i të papunëve ra me 132 mijë njësi në 2.08 milionë. Por rrogat mesatare, përjashtuar shpërblimet, u rritën me 0.6 për qind deri në qershor të këtij viti, që është dhe rritja më e ulët që prej vitit 2001.

Bashkë me shpërblimet, rrogat ranë me 0.2 për qind, që është dhe rënia e parë që prej 2009-s. Shifrat e zyrës së statistikave tregojnë se rreth 40 për qind e rritjes së niveleve të punësimit në Mbretërinë e Bashkuar përgjatë vitit të kaluar ka prekur njerëzit të lindur jashtë vendit.

Ndërsa numri i punëtorëve të lindur në Britani u rrit me 502 mijë njësi, deklaroi korrespondenti i BBC për çështjet e brendshme, Danny Shaw.

Numri i punëtorëve të lindur përtej detit, disa prej të cilëve janë shtetas britanikë, u rrit me 326 mijë njësi. Zyra e statistikave deklaroi se vendi i lindjes së këtyre punëtorëve nuk dihet, që si rrjedhojë do të thotë se rritja e punësimit vit pas viti arriti në 816 mijë njësi.

Por sipas korrespondentit të BBC, ka pasur një rritje të punëtorëve nga vendet e të ashtuquajturit grupi A8, ku bëjnë pjesë ish-vendet nga blloku sovietik si Polonia, Hungaria dhe Lituania, që iu bashkuan BE-së në vitin 2004.

Top Channel