Bashkia akuzon policinë për dhunë

13/08/2014 00:00

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka denoncuar atë që ai e cilësoi rrëmbin të punonjësve të bashkisë nga ana e policisë së kryeqytetit.

Sipas Bozdos, 5 punonjës, të cilët kanë qenë duke vendosur një semafor pranë shkollës “Harry Fultz” janë ndaluar nga uniformat blu.

“Pesë punonjësit tanë janë rrëmbyer nga policia dhe mbahen në mënyrë të jashtëligjshme në qelitë e komisariatit numër 3 të kryeqytetit. Ata do të fillonin punën për një nyje të re semaforike në një zonë të Tiranës, me kërkesë të banorëve të saj. Pikërisht për të ndaluar këtë investim, vetëm sepse bie ndesh me interesat e një individi, biznesmen i kësaj zone, policia i ka ndaluar ata pa pasur asnjë tagër ligjor. I kujtojmë drejtorit të policisë së Tiranës dhe drejtuesve të komisariatit numër 3 se rrëmbimi i personit është një vepër e rëndë penale dhe se kush e kryen atë do të paditet penalisht”, ka deklaruar Bozdo.

Ndërkaq, burime nga policia bëjnë të ditur se punonjësve të bashkisë u është kërkuar ndërprerja e punimeve deri në verifikimin e lejes, pasi vetëm pak metra përpara semaforimit që pritet të vendoset ndodhet një tjetër semafor. Por punonjësit e bashkisë kanë vijuar punën, çka ka detyruar efektivët e policisë që t’i shoqërojnë ata në komisariat.

Top Channel