A fshihen SHBA pas ISIS?!

13/08/2014 00:00

Një teori e re konspiracioni po qarkullon në Liban muajt e fundit, e cila thotë se pas krijimit të Shtetit të vetëshpallur Islamik, ISIS, qëndrojnë SHBA, pikërisht vendi i cili po trumbeton fuqishëm duke i hapur luftë ajrore xhihadistëve, në veri të Irakut.

Sipas një ish-zyrtari libanez, “në Lindjen e Mesme, teoritë e konspiracionit janë në gjakun e tyre”. Ai po i referohej fjalëve të fundit që po qarkullonin në qytetin e Bejrutit, se SHBA fshihen pas fasadës së ISIS, ku – sipas tyre – edhe Hillary Clinton e ka pranuar në librin e saj “Zgjedhje të vështira”.

Teoricienët e konspiracionit në Liban i referohen librit të Hillary Clintonit, për të shpjeguar argumentin e tyre se SHBA krijuan ISIS-in. Ajo që Hillary ka shkruar është se dështimi për të ndihmuar rebelët sirianë çoi në rritjen e ISIS.

Në fakt, kjo nuk është diçka e re, duke pasur parasysh historinë e Amerikës për mbështetjen e grupeve militante dhe guerrile; si muxhahedinët në Afganistan, të cilët të sjellin në mendje al-Kaedën, por as fakti i dhënies së mbështetjes ndonjë grupi militant, kushdo qoftë ai, nuk është zgjidhje për çështjen e konfliktit.

Ndërkaq në internet, krahas fragmenteve nga libri i Clintonit, qarkullon dhe një video e krimeve makabre kundër forcave të armatosura libaneze, të cilat shërbejnë si prova për teorinë libaneze, se Amerika kërkon të krijojë destabilitet në rajon për përfitime të saj personale.

Gjithashtu, Uashingtoni gjithmonë i ka mëshuar idesë se Libani duhet të jetë një komb, që duhet të ruajë një pushtet “të butë”. Nuk dihet nëse realisht SHBA kanë interesa për përfitimet, që mund të vijnë prej vendit të Lindjes së Mesme, siç mund të jenë pasuritë nëntokësore të Libanit, si nafta e ari.

Por, teoria e re e konspiracionit ka sjellë reagime nga ana e amerikanëve, ku faqja në Facebook e Ambasadës së SHBA-ve në Bejrut ka shkruar se çdo supozim, që po përflitet, është thjesht një trillim. Megjitatë, nuk dihet nëse fjalët, që po bëjnë xhiron në Lindjen e Mesme, kanë ndonjë bazë të vërtetë ose jo, fakti që mbetet është se Amerika nuk po kalon ditë të mira, gjë që, prej ndërhyrjes së Shtëpisë së Bardhë në konflikt, ka bërë që popullariteti i presidentit Obama të bjerë ndjeshëm.

Ndoshta mund të jetë shumë herët për të thënë nëse popullariteti i SHBA-ve do të mund të shërohet në varësi të progresit që ata do t’i japin situatës në Liban.

Top Channel