Williams u vetëvar, ndërroi jetë nga asfiksia

12/08/2014 00:00

Aktori dhe komediani i famshëm Robin Williams është vetëvarur dhe ka ndërruar jetë nga asfiksia në shtëpinë e tij në Kaliforni. Ky është konkluzioni, në të cilin ka dalë policia e Kontesë Marin në Kaliforni.

63-vjeçari Williams u ishte nënshtruar trajtimeve për depresionin kohëve të fundit, teksa Keith Boyd, nga policia kaliforniane, bëri të ditur se ai ishte parë i gjallë nga e shoqja mbrëmjen e së dielës, ndërkohë që u gjet i vdekur pasditen e së hënës.

Homazhe në nder të tij kanë bërë shumë personalitete, duke nisur që nga Presidenti amerikan Barack Obama, por edhe shumë kolegë e miq të tij.

Obama: Na ka dhuruar talentin për atë që kishim më shumë nevojë

“Na ka bërë të qeshim, të qajmë, na ka dhuruar talentin e pafundmë për atë që kishim më shumë nevojë”. Kanë qenë këto fjalët e presidenti Barack Obama për humbjen e papritur të aktorit Robin Williams. “Familja Obama i shpreh ngushëllimet familjes së Robin, duke kujtuar edhe numrin e pafund të roleve si doktor, dado, pilot dhe çdo gjë tjetër”, shkruan Obama.

Spilberg: Ishte një gjeni; Glen Close: Një thesar kombëtar

“Ishte një thesar kombëtar dhe një njeri shumë i mirë,” ka thënë  aktorja Glen Close. “Ishte një komik gjeni dhe e qeshura jonë ishte ajo që e mbante gjallë. Nuk mund ta imagjinoj që nuk është më”, thotë regjisori Steven Spielberg.

Bashkëshortja, Susan Schneider: Bota ka humbur një ndër artistët më të dashur

“Këtë mëngjes kam humbur bashkëshortin dhe mikun tim më të mirë, ndërsa bota ka humbur një ndër artistët më të dashur dhe një ndër personat më të mrekullueshëm. E kam zemrën e copëtuar. Kërkojmë që të respektohet privatësia e familjes në këtë moment shumë të dhimbshëm. Siç dëshironte dhe Robin, ta kujtojmë për momentet e pafundme të gëzimit dhe buzëqeshjeve që i ka dhuruar miliona njerëzve në mbarë botën”.

Top Channel