Vijon peticioni për shkarkimin e Fullanit

12/08/2014 00:00

Pavarësisht temperaturave të larta, qytetarët vijojnë së firmosuri peticionin, ku kërkohet të mblidhet Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme, për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani, pas vjedhjes nga Banka e Shqipërisë të 7.1 milionë dollarëve.

“Nënshkrimi i peticionit, sot në ditën e katërt, vazhdon me të njëjtin ritëm. Intensiteti është i lartë, jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Dita e djeshme është mbyllur me 5000 firma, ndërkohë ne po punojmë me kolegët tanë nëpër rrethe për mbledhjen e të dhënave, të përpunohen dhe të dalim në një rezultat më të qartë. Heshtja e politikës i ka bërë qytetarët që të jenë më të shumtë në numër, e në shumicën e rasteve ata kanë ardhur përpara nesh në pikat e firmosjes”, tha Basir Çollaku.

Gjatë ditës së djeshme nuk kanë munguar edhe provokimet në Tiranë, nga dy persona të cilët kanë kërkuar ndërprerjen e firmosjes së peticionit.

“Fatkeqësisht ka pasur incidente dhe porosia e tyre e dhunshme, në mënyrë të përsëritur, ka qenë që ne të lëmë këtë punë, sepse ka kush të merret me këtë, janë vet politikanët që mund ta zgjidhin këtë punë. Por, uroj të jetë një rastësi dhe jo një porosi”, u shpreh më tej Basir Çollaku.

Aktivistët e shoqërisë civile thonë se peticioni do të vijojë të firmoset, deri mesin e javës së ardhshme.

Top Channel