“Të veprohet ndaj luftëtarëve të huaj”

12/08/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Australia kanë shprehur shqetësimin që kanoset nga xhihadistët e huaj që kthehen nga Siria dhe Iraku, pas pamjeve shokuese që erdhën nga Australia, ku një fëmijë mbante në dorë një kokë të prerë njeriu.

Kryediplomati amerikan John Kerry deklaroi se çështja duhet të diskutohet në Kombët e Bashkuara në mënyrë që të aplikohen praktikat më të mira ndaj këtij fenomeni që sa vjen e përhapet.

Komentet e zotit Kerry erdhën në takimin e përvitshëm që zhvillohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Australisë në Sidnej. Duke komentuar foton shokuese, sekretari i Shtetit tha se ajo “të shkund stomakun” dhe e cilësoi si “groteske”.

Në foto shfaqet një djalë i vogël, që dyshohet se është i biri i një shtetasi australian të dënuar për terrorizëm, që përdor të dyja duart për të mbajtur kokën e prerë të një siriani.

Fotoja u publikua në rrjetin social Twitter, në profilin e Khaled Sharrouf, një shtetas australian i burgosur më parë për planifikim atentatesh të brendshme, ndërkohë që aktualisht dyshohet se ndodhet në Siri.

Gazeta “The Australian” shkruante se fotoja, e shoqëruar me diçiturën “Ky është djali im”, ishte bërë në qytetin verior të Sirisë, Raka. Gjyshi i djalit të vogël, Peter Nettleton i ka kërkuar qeverisë australiane që ta kthejë atë në shtëpi.

“Jam i shqetësuar për fëmijët, ç’jetë do të bëjnë ata tani e tutje? Po qeveria s’bën dot asgjë për t’i mbajtur të miturit larg njerëzve si ai?”, tha ai oër australianen “Daily Telegraph”.

Zoti Nettleton është babai i bashkëshortes së Khaled Sharrouf, Tara. Kjo e fundit shkëputi kontaktet me të atin pasi u martua me Sharrouf.

Top Channel