SHBA-Iran, “aleatë” të ndryshimit në Irak

12/08/2014 00:00

Kryeministri i ri i zgjedhur i Irakut ka fituar shumë shpejt mbështetjen e “aleatëve në kohë të vështira”, SHBA dhe Iran, teksa bëri thirrje ndaj liderëve politik të vendit t’i japin fund hakmarrjeve dëmtuese, të cilat u kanë krijuar mundësi xhihadistëve të pushtojnë rreth 1/3-tën e vendit.

Haider al-Abadi përballet ende me kundërshtime në vendlindjen e tij, pasi kolegu i tij në partinë shiite, Nuri al-Maliki, ka refuzuar të japë dorëheqjen pas 8 viteve në pushtet si kryeministër, duke shkaktuar armiqësi qoftë me minoritetin sunit, dikur në mazhorancë, ashtu edhe me Uashingtonin dhe Teheranin.

Gjithsesi, komandantët më të lartë të milicive shiite dhe ushtrisë, prej kohësh besnikë të betuar ndaj Malikit, kanë dhënë shenja se mbështesin ndryshimin në politikë, ashtu siç bënë edhe shumë njerëz nëpër rrugët e Bagdadit, të nxitur nga situata e trazuar dhe dëshira për t’i dhënë fund përkeqësimit të ndarjeve sektariane dhe etnike.

Ndërkohë që fuqitë perëndimore dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmave po konsiderojnë ndihma të tjera për dhjetra mijëra njerëz, të larguar nga shtëpitë e tyre pasi kërcënohen nga militantët sunitë të Shtetit Islamik pranë kufirit me Sirinë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se Shtetet e Bashkuara do të konsiderojnë të gjitha kërkesat si për ndihmë ushtarake, ashtu dhe ndihma të tjera, sapo Abadi të formojë qeverinë e re për të bashkuar vendin.

Duke theksuar konvergjencën e interesave në Irak, që shënon si rrallë herë një marrëdhënie normale mes “armiqve” si Uashingtoni dhe Irani, zyrtarët më të lartë iranianë kanë përgëzuar kandidaturën e Abadit për kryeministër, 3 muaj pasi zgjedhjet parlamentare nxorrën sërish bllokun e al-Malikit si më të madhin në legjislaturën e re.

Ashtu si dhe fuqitë perëndimore, edhe shiitët e Iranit janë alarmuar nga kryengritja e militantëve sunitë në Irak dhe Siri.

“Irani mbështet procesin ligjor që ka pasur një kurs të tijin, me respektin më të madh për zgjedhjen e kryeministrit të ri të Irakut”, tha përfaqësuesi i Liderit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në Këshillit Suprem për Sigurinë Kombëtare.

“Irani është në mbështetje të një Iraku koheziv, të integruar dhe të sigurt”, citohet të ketë thënë më tej ai, duke shtuar kështu edhe një apel indirekt për largimin e al-Malikit.

Top Channel