Rusia nis autokolonën me ndihma

12/08/2014 00:00

Rreth 300 kamionë me ndihma humanitare kanë lënë Moskën në orët e para të mëngjesit të së martës për të arritur në lindje të Ukrainës.

Mediat ruse njoftuan se ngarkesat, mes të cilave qindra tonelata grur, ushqim për fëmijët, gjeneratorë dhe medikamente do të shkojnë për civilët e bllokuar nga luftimet në zonën e kontrolluar nga rebelët.

Autoritetet ruse deklaruan më herët se qeveria ukrainase kishte rënë dakord për lejimin e operacionit.

Nga ana tjetër, fuqitë perëndimore kanë paralajmëruar Moskën që të mos e përdorë operacionin e ndihmave si pretekst për të dërguar trupa ushtarake në lindje të Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të hënën se do të ndërmerrte një mision humanitar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

Ky i fundit kishte bërë me dije se situata në lindje të Ukrainës ishte kritike me mijëra njerëz që kanë mbetur pa ujë të pijshëm, energji elektrike dhe ndihma mjekësore.

Organizata deklaroi se kishte rënë dakord në parim për një operacion të tillë, por bëri të qartë se detajet e tij duhen qartësuar.

Raportimet mediatike sugjerojnë se, kamionët me ndihma lanë qytetin Naro-Fominsk, në jug-perëndim të Moskës, mëngjesin e së martës.

“Kamionët do t’u shpërndajnë banorëve në lindje të Ukrainës rreth 2 mijë tonelata ndihma humanitare, të mbledhura nga banorët e Moskës dhe rajone të tjera”, deklaroi një zyrtar rus.

Top Channel