Rindërtimi i sheshit “Nënë Tereza”

12/08/2014 00:00

Në sheshin “Nënë Tereza”, ku po punohet për rehabilitimin e tij me rastin e vizitës së Papa Françeskut, më 21 Shtator, nuk do të ketë as pasqyrë ujore dhe as shatërvane, siç ka deklaruar pak ditë më parë Bashkia e Tiranës.

Drejtorja e Institutit të Monumenteve të Kulturës, Arta Dollani, deklaron se projekti i hartuar nga IMK dhe që do të zbatohet nga Bashkia e Tiranës, synon të shndërrojë të denjë këtë shesh për këtë vizitë të rëndësishme të Papes në kryeqytetin shqiptar.

“Projekti ynë është thjesht rehabilitim. Projekti i miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës parashikon sheshimin e shatërvanit, rehabilitimin e fasadave që rrethojnë sheshin ‘Nënë Tereza’, rregullimin e ndriçimit në shesh dhe, në përgjithësi, është një projekt i cili i kthen karakterin monumental këtij sheshi”, u shpreh Arta Dollani, drejtore e IMK.

Përveç restaurimit të fasadave të godinave të rëndësishme, që rrethojnë sheshin “Nënë Tereza” do të ndërhyhet dhe në rregullimin e trotuareve, për të cilat do të përdoren pllakat e vogla që rrethonin shatërvanin, i cili nuk do të jetë më.

Ndërkohë që do të ndërhyhet në ndriçimin e këtij sheshi, ku në mes do të ketë një ndriçim më të lartë dhe përgjatë trotuarëve do të ketë ndriçim më të ulët. Të gjitha fasadat e objekteve të rëndësishme do të ndriçohen. Në sheshin “Nënë Tereza”, brenda muajit Gusht do të hiqen të gjithë bizneset e ngritura në anë të tij.

“Të gjitha bizneset, duke përfshirë edhe sheshin te Garda e Republikës, strukturën e Fast-Food-it të Kolonave, disa kafene që janë pas Rektoratit, pra janë gjithsej 6 biznese, të cilat zhvendosen përfundimisht nga sheshi, i cili kthehet në hapësirë publike, në pjesën e Universitetit kthehet në hapësirë të gjelbër, ndërsa te Kolonat kthehet filtri i kolonave, që bënte lidhjen mes sheshit ‘Nënë Tereza’ me sheshin ‘Italia’”, deklaroi Arta Dollani.

Projekti, që ka prezantuar Bashkia e Tiranës nuk ka të bëjë me këtë projekt të Institutit të Monumenteve, i cili është miratuar dhe nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe, më vonë, edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Në datë 15 Korrik 2014, KKR miratoi projektin për rehabilitimin e sheshit ‘Nënë Tereza’. Duke pasur parasysh edhe kohën e shkurtër në dispozicion deri në ardhjen e Papës, duhet që ky shesh të ishte në gjendjen e tij më të mirë, të rimerrte karakterin e tij monumental, në mënyrë që atë ditë të jetë i denjë për pritjen e Papës. Më pas, projekti u dërgua për zbatim në Bashkinë e Tiranës, e cila është një nga autoritetet pjesëmarrëse komitetin shtetëror për ardhjen e Papës, që merret me organizimin e eventit, e pas kësaj, Këshilli Bashkiak miratoi fondin për zbatimit për këtë projekt”, shpjegoi Arta Dollani.

Fondi i miratuar për zbatimin e këtij projekti, nga Bashkia e Tiranës në Këshillin Bashkiak për 2014-n, është 10 milionë lekë të reja, të cilat do të përdoren vetëm për sheshin. Ndërsa fasadat do të restaurohen nga Ministria e Kulturës.

Top Channel