Gjendet i vdekur aktori Robin Williams

12/08/2014 00:00

Aktori amerikan Robin Williams është gjetur i vdekur në banesën e tij në Kaliforninë e Veriut gjatë ditës së hënë.

Lajmi për vdekjen e 63-vjeçar është bërë publik nga policia e Kalifornisë, e cila ka deklaruar se dyshohet për vetëvrasje.

Policia tha se kishte mbërritur në vendngjarje pasi kishte marrë një telefonatë, më pas Williams është gjetur i pajetë në banesën e tij. Kohët e fundit ai ka vuajtur nga depresioni, duke qëndruar për disa kohë në një qendër rehabilitimi.

Williams ka lindur në Çikago më 21 korrik 1951 dhe u bë i famshëm në filmat ‘Good Morning Vietnam’ dhe ‘Dead Poet’s Society’.

“Hetuesit dyshojnë për një vetëvrasje për shkak të asfiksisë, por pritet përfundimi i hetimeve për përcaktimin e plotë të vdekjes”, thuhej në deklaratën e policisë.

Bashkëshortja e Williams, Susan Schneider u shpreh se ndjehej tepër e pikëlluar pas marrjes së lajmit. “Robin do të mbahet mend për momentet e panumërta të gëzimit dhe të qeshurat e tij që i dha për miliona njerëz”, tha Schneider.

Williams kishte 3 fëmijë nga martesat e tij të mëparshme. Interpretimi i tij i parë ishte në show-n televiziv “Mork dhe Mindy”.

Më pas, si një aktor komik, luajti në disa filma të ndryshëm si “Good Morning Vietnam”, “Dead Poets Society” dhe “Mrs Doubtfire”. Në vitin 1998 ai fitoi çmimin Oskar si aktori më i mirë në rol mbështetës në filmin “Good Will Hunting”.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel