“Forcat egjiptiane planifikuan masakër”

12/08/2014 00:00

Vrasjet e të paktën 817 personave nga forcat egjiptiane të sigurisë, vitin e kaluar, mund të konsiderohen pa ndonjë rezervë si krime ndaj njerëzimit, ka bërë të ditur organizata “Human Rights Watch”.

Një raport i lëshuar nga grupi me seli në SHBA, bën të ditur se 1000 ose më shumë persona kanë vdekur vetëm brenda një dite në xhaminë Rabaa al-Adawiya. Vdekjet erdhën gjatë demonstratave, të cilat u shpërndanë nga forcat egjiptiane të sigurisë.

Drejtori ekzekutiv i HRW, Kenneth Roth, tha se vdekjet shënuan “vrasjet më masive të demonstruesve të ndodhura në një ditë të vetme, në historinë e viteve të fundit”. Roth dhe një koleg i tij u ndaluan gjatë së hënës të hynin në Egjipt.

Ata do të publikonin një raport të ri, në një konferencë për shtyp në kryeqytetin egjiptian, por u deportuan nga vendi, pasi u mbajtën për rreth 12 orë në Aeroportin ndërkombëtar të Kajros.

Hetimi njëvjeçar i grupit të të drejtave të njeriut ishte fokusuar në 6 demonstrata të mbajtura në Korrik dhe Gusht të vitit 2013, të cilat u shpërndanë me forcë nga forcat e sigurisë, të cilat në atë kohë ishin nën komandën e Presidentit të tanishëm, Abdul Fattah al-Sisi.

Sisi, në atë kohë Gjeneral në krye të ushtrisë egjiptiane, u zgjodh më pas në krye të shtetit, në zgjedhjet e muajit Maj 2014, duke pasuar Presidentin e rrëzuar Mohammed Morsi, në Korrik të 2013-s.

Si pasojë e demonstratave, forcat e armatosura të drejtuara prej tij nisën një kundërsulm brutal ndaj mbështetësve të “Vllazërisë Muslimane”.

Pastrimi i kampit të protestave në xhaminë Rabaa al-Adawiya, më 14 Gusht 2013, erdhi pas “një plani që parashikonte disa mijëra të vdekur”, thuhet në raport. Sipas grupit, të paktën 817 persona vdiqën gjatë dhunës në xhami, por shifrat reale mund të jenë më shumë se 1000 vetë.

Top Channel