Sulm me raketa në Ukrainë, të paktën 15 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Kievi përgjigjet duke shkatërruar një nga objektet më të rëndësishme ushtarake ruse
Liberia do të marrë një ilaç eksperimental të patestuar më parë, Zmapp, për të mjekuar njerëzit e prekur nga virusi Ebola.
Lëvizja vjen pas një kërkese drejtuar Shteteve të Bashkuara nga presidentja e Liberisë, Ellen Johnson Sirleaf, bëjnë të ditur mediat e huaja. Lajmi vjen në një kohë kur specialistët e mjekësisë po takohen në Gjenevë të Zvicrës për të eksploruar përdorimin e ilaçit të ri.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka organizuar takimin, deklaroi se të paktën 1.013 persona kanë vdekur nga Ebola në Afrikën Perëndimore.
Zyrtarë të qeverisë amerikane thanë ndërkohë, se roli i tyre ishte vendosja e kontakteve mes autoriteteve liberiane dhe prodhuesit të ilaçit Zmapp, Mapp Biopharmaceutical. Kompania nga ana e saj bëri të ditur se, medikamenti në fjalë u është dhënë autoriteteve liberiane pa asnjë kosto.
Zmapp është përdorur në Shtetet e Bashkuara ndaj dy punonjësve të ndihmës së shpejtë që kishin treguar shenja përmirësimi dhe ndaj një prifti katolik i prekur nga virusi në Liberi, i cili për fat të keq ka ndërruar jetë në një spital të Madridit.
Megjithatë, ai është testuar vetëm tek majmunët dhe ende nuk konsiderohet i sigurtë për njerëzit. Organizata Botërore e Shëndetësisë do të njoftojë rezultatet e takimit të jashtëzakonshëm mbi përdorimin e Zmapp më vonë gjatë së martës.
Top Channel