Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u është përgjigjur të martën akuzave të bëra nga drejtues të opozitës dhe ish-kryeministri Berisha, për situatën e kriminalitetit në vend, duke theksuar se Policia e Shtetit ka nën kontroll të plotë situatën kriminale.

“Goditje të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, goditje e trafiqeve të marijuanës, kokainës, heroinës, droga e Lazaratit e të tjerë, hoqën nga duart kriminale qindra milionë euro që pritet të hynin në kasafortën e tyre. Ne nuk dimë ende se sa qindra të tjerë mund të jenë brenda këtyre kasafortave, një pjesë e të cilave përdoret për ta dëmtuar dhe mundësisht për ta frenuar këtë luftë. Ne fillim reaguan fuqishëm dhe të gjithë e mbajnë mend valën e tritoleve në rrugë, por goditje pas goditjesh reagimet e tyre janë zbehur. Ushtarët e krimit një nga një po futen në burgje ose janë në kërkim. Ndoshta financat po u mbarojnë, por asnjëherë të mos mendojmë se ata nuk do të reagojnë në një formë apo në një tjetër dhe pa asnjë dyshim sot për sot kundërshtari i tyre është policia, ndaj ata do ta sulmojnë, do ta shajnë për ta bërë të pabesueshme në publik, për ta marrë nga publiku”, tha Didi.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, gjatë dy muajve të fundit Qershor-Korrik janë regjistruar 8 vrasje më pak se e njëjta periudhë e 2013-s. Po ashtu, në këtë hark kohor janë evidentuar 102 aksidente më pak se vitin e kaluar, nga të cilat janë regjistruar 27 të vdekur më pak.

Didi është ndalur edhe në masat e marra nga policia për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, duke theksuar se gjatë këtyre 2 muajve të fundit janë asgjesuar rreth 258 mijë bimë narkotike, gati 25 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Deklaratat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë janë bërë gjatë një inspektimi, të kryer sot paradite në Portin e Durrësit, lidhur me zbatimin e planit të masave për përballimin e fluksit të lëvizjes gjatë sezonit turistik.

Top Channel