Armët siriane, neutralizohet gazi sarin

12/08/2014 00:00

Ekipi i ngarkuar për shkatërrimin e armëve kimike siriane, në bordin e anijes amerikane “Cape Ray”, ka neutralizuar 100% të komponentëve të përdorur për prodhimin e gazit sarin. Shkatërrimi i elementëve të tjerë do të përfundojë brenda fundit të muajit Gusht.

Ekipi, i përbërë nga ushtarë amerikanë dhe civilë, ka mundur të shkatërrojë tërësisht 581 tonelata të këtyre elementëve, në bordin e anijes së vendosur në ujërat ndërkombëtarë të Mesdheut, siç saktëson Kolonel Steve Warren, zëdhënës i Pentagonit. Koloneli ka shtuar se janë neutralizuar gjithashtu edhe 19,8 tonelata përbërësish, që përdoren për të prodhuar gazin mustard.

78 konteinerët, që përmbanin armët kimike siriane, janë transferuar nga anija transportuese daneze “Ark Futura” në anijen amerikane “Cape Ray”, në portin kalabrez të Gioia Tauro, muajin e kaluar. Janë transferuar rreth 600 tonelata materialesh. Prej 78 konteinerëve, 3 përbanin gaz mustard, ndërsa 75 të tjerat prekursorë të gazit sarin.

Top Channel