Vrasjet e civilëve, AI akuza SHBA

11/08/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë dështuar për të hetuar si duhet vdekjet e civilëve afganë nga forcat e tyre ushtarake, ka deklaruar grupi i të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Në një raport të ri, AI vlerëson se edhe krime potenciale lufte kanë kaluar pa hetim e për rrjedhojë pa ndëshkimin e përgjegjësve. Raporti është fokusuar kryesisht tek sulmet ajrore dhe ato tokësore të kryera gjatë natës nga trupat amerikane mes viteve 2009-2013.

Një zëdhënës i NATO deklaroi për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se do të analizojë raportin dhe do të japë një përgjigje më vonë. Zëdhënësi tha se Aleanca i merr shumë seriozisht humbjet e jetëve të civilëve dhe do të hetojë tërësisht të gjitha të dhënat.

Numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur në konfliktin në Afganistan u rrit me 14 për qind vitin e kaluar, tregojnë shifrat e Kombeve të Bashkuara. Sipas të dhënave të organizatës, gjatë 2013-s rreth 3 mijë civilë u vranë dhe mbi 5.600 të tjerë u plagosën.

Shumica e viktimave të regjistruara vitin e kaluar ishin si pasojë e bombave të vendosura anës rrugëve nga guerrilasit talebanë, ose nga ndodhja në mes të zjarrit në përleshjet e armatosura mes rebelëve dhe trupave afgane.

Por çështja e civilëve të vrarë nga operacionet e NATO-s është shumë e ndjeshme në Afganistan dhe prej kohësh është burim tensionesh mes trupave të Aleancës dhe presidentit në ikje, Hamid Karzai.

Vitin e kaluar lideri afgan ndaloi sulmet ajrore në zonat e banuara pasi një grup civilësh u vranë gabimisht në një operacion të kryer gjatë natës me avion të telekomanduar.

Top Channel