Steven Seagal, koncert në Krime

11/08/2014 00:00

Aktori hollivudian Steven Seagal, njëkohësisht edhe këngëtar, ka mbajtur një koncert në Krime, në një skenë të rrethuar nga flamujt e separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Seagal dhe grupi i tij blues hipën në skenë gjatë një shfaqeje të motoçiklistëve në qytetin e Sevastopolit, ku nodhet dhe baza e Flotës Ruse në Detin e Zi.

Fansat valvitën flamurin rus teksa Seagal këndoi dhe luajti me kitarë. Edhe flamuri i së ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut, i zi, blu dhe i kuq, ishte vendosur në një kënd të skenës.

Seagal tha se kishte udhëtuar në Krime, “pasi muzika bashkon njerëzit”, raportoi agjencia ruse e lajmeve “RIA Novosti”. Sipas agjencisë, atij iu dha edhe një bluzë me fytyrën e presidentit Putin në të, të cilën ai e mbajti dhe e ngriti lart teksa falenderonte turmën.

Zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov u tha gazetarëve vitin e kaluar se Putin dhe Seagal janë miq prej kohësh dhe takohen rregullisht. Por prirjet pro-ruse të aktorit bënë që ai të përjashtohej nga një festival blues që u zhvillua në Estoni më herët gjatë sezonit të verës.

Krimea, që ka një popullësi dërrmuese rusishtfolëse, votoi në mars për t’u bërë pjesë e Rusisë në një referendum të kontestuar. Koncerti në Sevastopol u organizua nga një grup motoçiklistësh, njëkohësisht nacionalistë rusë, të njohur si Ujqit e Natës.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel