Institucionet e Kosovës kanë hartuar planin për transferimin e 760 serbëve të veriut nga institucionet paralele në institucionet e Kosovës.

Këta serbë kanë punuar si pjesë e Mbrojtjes Civile që është strukturë paraushtarake e Serbisë.
 
Por meqenëse Kosova nuk ka strukturë të ngjashme sigurie, atëherë këta serbë të cilët janë komanduar nga kryetarët e komunave ilegale serbe në veri, do të punësohen si gardianë burgjesh, zjarrfikës, roje të kishave serbe dhe institucione tjera.
 
Anëtari i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Fisnik Rexhepi, ka treguar për Top Channel se në vjeshtën e këtij viti kur të rifillojnë bisedimet do të finalizohet në Bruksel plani për shkrirjen Mbrojtjes Civile në institucionet legale të Kosovës.
 
Por sipas tij, pjesëtarët e Mbrojtjes Civile do të verifikohen për të kaluarën e tyre para se të punësohen në institucionet kosovare.

“Fillimisht Qeveria e Serbisë është e obliguar që të nxjerrë venim zyrtar për shpërbërje dhe për ndalim të operimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Ekziston një numër prej rreth 760 personave të cilët janë pjesë e Mbrojtjes Civile. Ne i kemi planet tona se sa prej tyre mund t’i absorbojmë, ndërsa për pjesën tjerët të mbetur po i diskutojmë disa modalitete me Bashkimin Evropian dhe me partnerë tjerë ndërkombëtarë”, tha Fisnik Rexhepi.

Analisti për politikat e sigurisë në Ballkan, Naim Rashiti ka thënë se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile të serbëve në veri janë përdorur nga viti 2011 nga kryetarët e komunave paralele serbe për të penguar integrimin e veriut.
 
Sipas tij rreth 160 prej atyre serbëve nga një verifikim që u është bërë kanë rezultuar se nuk janë fare në regjistrin civil të Kosovës por vijnë nga “Republika Srpska” e Bosnjes.

“Është struktura më sensitive, çështja më sensitive në raport me shtetin sepse është një strukturë paraushtarake dhe nuk është Mbrojtje Civile. Duhet pasur kujdes mirë me verifikimin e tyre, me të kaluarën e tyre, me pastrimin e listave të tyre, ri-trajnimin e tyre dhe në veçanti që ti kërkohet sa më shumë Beogradit dhe ti bëhet presion që jo vetëm për këtë strukturë por për çdo institucion serb të ndërpritet financimi përmes ndryshimit të legjislacionit në Serbi”, u shpreh analisti, Naim Rashiti.
 
Pavarësisht kostos politike dhe financiare që ka transferimi i këtyre pjesëtarëve të Mbrojtjes Civile serbe në institucionet e Kosovës, Rashiti mendon se Qeveria e Kosovës duhet ta përfundoje përfshirjen e tyre sa më parë për t’i hapur rrugë integrimit sa më të shpejtë të veriut.

Top Channel