Rusia: Të mbështetemi te forcat tona

11/08/2014 00:00

Sanksionet e ndërmarra nga Rusia, ndaj vendeve europiane të BE-së, i përngjajnë “një shkëmbimi flakë për flakë”.

Qeveria e Moskës, pasi hartoi një dekret për ndalimin e importit të artikujve ushqimorë nga vendet, të cilat më herët kishin vendosur sanksione ndaj saj, këtë herë e zgjeroi gamën e produkteve, të cilat ndalohen për të bërë shkëmbime tregtare.

Por, nga ana tjetër, masat e Putin për Europën janë një mundësi e mirë përfitimi për tregun ndërkombëtar, pjesë e të cilit është dhe Brazili. Ky i fundit është eksportuesi më i madh në botë i mishit dhe tregu i tij do të orientohet drejt Rusisë.

Sipas burimeve zyrtare, një marrëveshje tregtare e re pritet të firmoset mes vendeve. Por, sipas analistëve, konsumi i Rusisë është shumë më i madh, se sa kapaciteti që ka Brazili.

Megjithatë, Putin ka thënë se administrata e tij ka nisur planet për krijimin e kompanive ushqimore të vetë Rusisë, për të rritur prodhimin vendas dhe, në këtë mënyrë, çdo politikë monetare e tregtare do të qarkullojë brenda vendit.

Ndërkaq, për momentin, rreziku më i madh për investitorët është nëse shkëmbimi i sanksioneve të tregtisë do të vazhdojë të përshkallëzohet.

Top Channel