Rusi-Ukrainë, pakt për ndihmat humanitare

11/08/2014 00:00

Rusia dhe Ukraina deklarojnë se kanë rënë dakord për lejimin e një misioni humanitar të udhëhequr nga Kryqi i Kuq për banorët e Luhanskut, qyteti lindor ukrainas në duart e rebelëve.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka konfirmuar për televizionin shtetëror rus arritjen e marrëveshjes me qeverinë e Kievit dhe organizatën humanitare ndërkombëtare.

Ndërsa zëdhënësi i presidentit Putin, Dmitry Peskov ka thënë për agjencinë e lajmeve “AFP” se, ushtria nuk do të përfshihet në asnjë operacion për shpërndarjen e ndihmave.

Edhe zyra e presidentit ukrainas Petro Poroshenko ka konfirmuar marrëveshjen, duke thënë se ajo u arrit në bashkëpunim me Moskën, Kryqin e Kuq, Gjermaninë dhe partnerë të tjerë.

Ndërsa presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar ndërkohë se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë aktive në këto operacione humanitare.

Më herët, presidenti i KE-së, Jose Manuel Barroso i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të mos ndërmarrë aksione ushtarake të njëanshme në lindje të Ukrainës përmes pretekstit të ndihmave.

Dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike pasi Kremlini njoftoi se po punonte me Kryqin e Kuq për të dërguar një autokolonë me ndihma humanitare në rajon.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen akuzoi Rusinë se përdor ndihmat humanitare si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Ndërkohë, nga Kryqi i Kuq nuk ka ardhur ende një koment.

Të paktën 1.500 persona kanë vdekur që kur qeveria e re ukrainase dërgoi trupat e saj për të ndalur rebelimin e separatistëve pro-rusë në Donetsk dhe Luhansk, nga mesi i prillit.

Luftimet kanë zhvendosur qindra mijëra persona, shumë prej të cilëve janë larguar për në Rusi. Aktualisht forcat ukrainase kanë rrethuar Donetskun, një qytet me 1 milion banorë, të cilët kanë mbetur pa energji elektrike dhe rezerva ushqimore.

Ukrainë, bombardimet lirojnë të burgosurit

Pesë bomba të qëlluara nga
artileri e rëndë kanë goditur një burg të sigurisë së lartë në Donetsk,
në lindje të Ukrainës, duke shkaktuar një trazirë që u ka lejuar 106 të
dënuarve të arratisen.

Lajmin e bëjnë të ditur autoritetet lokale, sipas të cilave, një i burgosur u vra gjatë përleshjes me gardianët e burgut, pesë të tjerë u plagosën, ndërsa nga oficerët dy mbetën po ashtu të lënduar.

Artilieria e qeverisë ukrainse ka vënë në shënjestër zonat në rrethinat e qytetit, që kontrollohet nga separatistët pro-rusë.

Autoritetet lokale deklaruan se 34 të dënuar janë kapur tashmë dhe janë rikthyer në qeli, ndërkohë që po zhvillohet një aksion masiv policor për kapjen e të tjerëve.

Autoritetet përgjegjëse e cilësojnë situatën si “sfiduese por menaxhuese” dhe shtojnë se të burgosurit janë dërguar në një strehim tjetër dhe po marrin ndihmë psikologjike.

Një zëdhënës, i cituar nga mediat ndërkombëtare, deklaroi se mes të arratisurve ka të dënuar për vrasje, grabitje dhe përdhunim.

Top Channel