Magjistratura, Presidenti rrëzon Kuvendin

11/08/2014 00:00

Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim ndryshimet e bëra nga Kuvendi në seancën e fundit të sesionit që la pas në ligjin për Shkollën e Magjistraturës.

Presidenti Nishani rëndit pesë arsye për kthimin e këtyre ndryshimeve. E para, thuhet në njoftimin e publikuar nga Presidenca, është ajo se vetë deputetët që kanë propozuar ndryshimet në ligjin për funksionimin e Shkollës së Magjistraturës “është evidentuar si një institucion serioz dhe efikas në formimin fillestar dhe atë vazhdues të magjistratëve”.

Nishani thotë se ndryshimet prishin ekuilibrat e Këshillit Drejtues të kësaj shkolle, ndërsa ndryshimet nën nenin 17 për ngritjen e një komisioni mjek-psikiatër dhe psikolog për rekrutimin e magjistratëve për dhënien e lejes së aftësisë për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit apo prokurorit është anti-kushtetues.

Së katërti, Presidenca thotë se kriteret e vendosura për zgjedhjene drejtorit të kësaj shkolle janë të ekzagjeruara, përjashtuese dhe jashtëzakonisht diskriminuese dhe në fund vlerësohen se dispozivat kalimtare të parashikuara në këtë ligj cënojnë parimin e sigurisë juridike dhe rrjedhimisht edhe parimin kushtetues të shtetit të së drejtës.

Por menjëherë pas këtij dekreti të Presidentit të Republikës mazhoranca ka dhënë sinjalin e parë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga qendrimet e saja për reformën në drejtësi. Vetë Kryeministri Edi Rama nëpërmjet rrjeteve sociale paralajmëroi këtë.

“Keqardhje për Presidentin që mes inercisë së rrënimit të drejtësisë dhe reformës rrënjësore në drejtësi ka zgjedhur inercinë”, shkruan Rama.

Opozita nga ana tjetër, ka dalë në mbështetje të vendimit të Presidentit, që e cilëson qendrim kushtetues ndaj asaj që e quan kapje e paligjshme e Shkollës së Magjistraturës.

“Kthim kushtetues nga Presidenti i kapjes së paligjshme të Magjistraturës nga treshja Rama-Meta-Krimi në Kuvend. Reforma e drejtësisë kërkon gjithpërfshirje, racionalitet kushtetues dhe transparencë, jo kapje nga oligarkët e shartuar me krimin që vetëm drejtësi të reformuar nuk duan”, shkruan në profilin e tij zyrtar në Facebook, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Top Channel