Egjipti dëbon shefin e HRW

11/08/2014 00:00

Drejtorit ekzekutiv të Human Rights Watch dhe një anëtari të vjetër të stafit të tij i është ndaluar hyrja në Egjipt nga autoritetet e këtij vendi.

Kenneth Roth dhe Sarah Leah Whitson ndodheshin në Kairo për të publikuar një raport të grupit mbi vrasjet në masë të verifikuara vitin e kaluar. Qindra persona u vranë më 14 gushtin e 2013-s pasi forcat e sigurisë mposhtën protestat kundër rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi.

Presidenti Abdul Fattah al Sisi, që u zgjodh në krye të shtetit në muajin maj, ishte në atë kohë komandant i përgjithshëm i ushtrisë.

Human Rights Watch është një prej disa grupeve të të drejtat e njeriut që kanë shprehur shqetësimin për përdorimin e dhunës nga autoritetet pas rrëzimit të Morsit nga ushtria në korrik 2013.

Pasi mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Kairos, Roth dhe Whitson u ndaluan për 12 orë nga policia para se të vendoseshin në një avion për t’i dërguar jashtë vendit.

Whitson, shefe e divizionit të HRW për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, deklaroi më vonë se autoritetet egjiptiane i kishin thënë se po i largonin nga vendi për arsye sigurie.

Në një deklaratë, HRW tha se kjo është hera e parë që autoritetet egjiptiane i mohojnë stafit të tij hyrjen në vend, gjë që sipas grupit nuk ka ndodhur as gjatë regjimit të ish-presidentit Hosni Mubarak.

Grupi deklaroi se raporti i tij, që do të publikohet ditën e martë, dokumenton se si policia dhe ushtria egjiptiane hapën zjarr me municione të vërteta ndaj turmave të demonstruesve, pas rrëzimit të Morsit nga pushteti.

Top Channel