Çekia: Zgjidhje miqësore për ‘CEZ’

11/08/2014 00:00

Ambasada e Republikës Çeke në Tiranë ka deklaruar se vendi që përfaqëson kërkon një zgjidhje miqësore të mosmarrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ.

Qëndrimin e saj selia diplomatike e Pragës e ka paraqitur përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë për mediat pasditen e së hënës, në vijim të shumë deklaratave aktuale publike që adresojnë marrëveshjen e arritur ndërmjet qeverisë shqiptare dhe CEZ.

“Qeveria çeke ka kërkuar një zgjidhje miqësore që korrespondon me marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen e gjatë e të fortë të ofruar nga Republika Çeke ndaj aspiratave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, thuhet në deklaratë.

Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se, Çekia mirëpret arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe miratimin e saj në Parlamentin e Shqipërisë më 31 korrik 2014.

“Republika Çeke e konsideron marrëveshjen si një kompromis mbi kërkesat legjitime të palëve, që rezultoi nga negociata të gjata”, deklaron ambasada.

Qeveria çeke, vijon deklarata, vlerëson gjithashtu asistencën e dhënë nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lehtësimin e negociatave mes palëve dhe inkurajimin në drejtim të të dyja palëve nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë si BE, Banka Botërore e FMN, për zgjidhjen e mosmarrëveshjes jashtë gjykatës.

Top Channel