Banka, tre vjet pa bërë kontroll të Thesarit

11/08/2014 00:00

Prokuroria e Tiranës ka vijuar edhe gjatë kësaj të hëne me sekuestrimin e dokumentacionit në Departamentin e Emisionit në Linzë, në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen për të zbuluar mekanizmin, se si u vodhën 713 milionë lekë në degën e Thesarit, dhe për të konfirmuar nëse e gjithë kjo shumë është nxjerrë jashtë departamentit, duke u fshehur në trup nga Ardian Bitraj, apo edhe persona të tjerë.

Një burim jo zyrtar i tha Top Channel se, ndërsa rezulton e provuar se në këtë departament mungonte infrastruktura për mirëfunksionimin e Arkave Tranzit dhe në Veprim, pas kqyrjeve dhe administrimit të dokumentacionit, rezulton gjithashtu se që prej vitit 2011 në degën e Thesarit nuk është bërë asnjë audit.

Mungesa e këtij auditi, sipas Prokurorisë, bie në kundërshtim me ligjin që përcakton se auditi i brendshëm duhet të zhvillohet një herë në vit.

“Ne – thonë burimet – kemi sekuestruar vetëm materialet e një auditi të papërfunduar, që i përket Prillit 2014, por edhe ai është pa konkluzionet finale”.

Për Prokurorinë, mungesa trevjeçare e auditit të brendshëm përfshin në skandal edhe persona të tjerë të dyshuar, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkaqe hetimore.

Më herët, Prokuroria tha se edhe nga kqyrja e Arkës në Veprim rezulton se në këto ambiente nuk u gjet një kasafortë apo objekt, ku duhet të vendoseshin çelësat e Arkës Tranzit dhe Stok, çelësa që nga pamjet filmike të kamerave posedoheshin që të tre nga Bitraj.

Nga ana tjetër, konfirmohet se të dhjetë të arrestuarit i janë drejtuar Gjykatës së Apelit, duke kundërshtuar masat e sigurisë të vendosura nga Shkalla e Parë, ku shumica e tyre pretendojnë se vepra e shpërdorimit është e lehtë dhe se ata nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore.

Top Channel