SHBA, sulme të tjera kundër ISIS

10/08/2014 00:00

Ushtria amerikane tha se ka kryer një raund të tretë sulmesh ajrore mbi militantët sunitë muslimanë, për të mbrojtur civilët në Veri të Irakut.

Sipas forcave amerikane, avionët e tyre ushtarakë arritën të shkatërronin automjete të blinduara të xhihadistëve. Ndërhyrja e Shtëpisë së Bardhë u bë menjëherë pasi ISIS fitoi terren, në qytetin që strehonte miliona të krishterë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Francës mbërriti në Irak, për të diskutuar rreth krizës që ka përfshirë vendin. Laurent Fabius, i cili arriti në Bagdad mëngjesin e ditës së diel, do të mbikqyrë shpërndarjen e ndihmave të para, që Franca ka dërguar për njerëzit, të cilët janë zhvendosur në malin Sinjar për t’u shpëtuar kërcënimeve të ISIS.

Ndërkohë, ministria e Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi se një tjetër avion ushtarak britanik solli ndihma humanitare në Irakun verior.

Ndërhyrjet e ndërkombëtarëve po bëhen me qëllim frenimin e grupit ISIS, i cili duket se e ka rritur kapacitetin e militantëve të tij nga e gjithë bota, madje sipas burimeve, armatimet që xhihadistët zotërojnë janë shumë të sofistikuara.

Qëllimi i xhihadistëve, të cilët kanë marrë nën kontroll zona të mëdha të Irakut e Sirisë, është krijimi i një kalifati islamik në rajon, si dhe kthimi i gjithë popullsisë në muslimane.

Top Channel