Gaza, tendosen bisedimet për paqen

10/08/2014 00:00

Bisedimet që po mbahen në Kairo të Egjiptit me qëllim arritjen e një armëpushimi të ri në Gaza kanë arritur në një tjetër tendosje, me të dyja palët e përfshira në konflikt që paralajmërojnë njëra-tjetrën.

Negociatorët palestinezë paralajmërojnë se do të braktisin bisedimet nëse Izraeli nuk përfshihet në dialog pa vendosur kushte paraprake.

Nga ana e tij, Izraeli deklaron se nuk do të negociojë “gjatë kohës së zjarrit”, duke paralajmëruar se fushata e tij ushtarake do të kërkojë kohë.

Britania, Franca dhe Gjermania kanë bërë thirrje për një armëpushim të ri, pas atij prej 72 orësh që përfundoi të premten në mëngjes.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në një fjalim televiziv se: “Operacionet do të vazhdojnë derisa objektivi për vendosjen e qetësisë për një periudhë afatgjatë të arrihet”.

“Unë e thash që në fillim dhe gjatë operacionit, se ai do të kërkojë kohë pasi nevojitet një paqe e qëndrueshme”, deklaroi ai.

Negociatorët izraelitë janë larguar tashmë nga Egjipti dhe deklarojnë se nuk do të kthehen në negociatat indirekte derisa raketat e qëlluara nga Gaza të pushojnë.

Gazeta “Jerusalem Post” citoi disa zyrtarë të vjetër izraelitë të thoshin se, “nëse sulmet me raketa vazhdojnë, atëherë të gjitha opsionet do të mbeten të hapura dhe jo vetëm sulmet ajrore”.

Ndërsa ministri i Komunikimit, Gilad Erdan tha për televizionin lokal Channel 2 se, aktualisht po diskutohet një ndërhyrje tokësore dhe asgjesimi i Hamasit.

Nga ana tjetër, numri dy i lëvizjes islamike, Mussa Abu Marzuq akuzoi izraelin se po pengon negociatat dhe tha se, 24 orët e ardhshme do të vendosin fatin e bisedimeve të Kairos.

Top Channel