Obama: S’do lejojmë ISIS-in të pushtojë Irakun

09/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama, në një deklaratë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, tha se do të vazhdojë të ndihmojë irakianët për të kapërcyer rebelimin e xhihadistëve në veri të Irakut.

Në fjalën e tij Obama theksoi se ky do të jetë një “projekt afatgjatë” dhe shtoi se situata do të vijë drejt progresit vetëm nëse irakianët do të formojnë një qeveri të unifikuar. Ndërkaq, sipas autoriteteve vendase, sulmet ajrore amerikane kanë lejuar forcat kurde të Peshmergas që të rigrupohen dhe të rifitojnë territoret në të cilat më herët xhihadistët kishin marrë përparësi.

“Ne ndihemi mirë se përpjekjet tona ushtarake arritën të parandalonin ISIS-in që të shkonte drejt malit Sinjar, ku ndodhen të strehuar mijëra të krishterë. Kudo dhe kurdoherë do të jetë detyrimi im të mbroj të gjithë për t’i siguruar se ata nuk janë vetëm në këtë betejë”, tha Barack Obama.

Mëngjesin e ditës së shtunë avionë ushtarakë amerikanë arritën të furnizonin për herë të dytë mijëra irakianë me ushqime dhe ujë, të cilët ndodheshin të strehuar në mal. Sipas Pentagonit, ndihma e SHBA-së erdhi disa orë pas sulmeve ajrore që ata kryen ndaj xhihadistëve. Por, kanë mbërritur lajme se pritet një raund i dytë për sulme ajrore nga SHBA-ja kundër ISIS-it.

Njoftimi erdhi vetëm pasi guvernatori i Irbilit tha për CNN se grupi xhihadist ndodhet 30 km afër nga qyteti i cili po strehon më shumë se një milion njerëz.

Top Channel