Ebola, Guinea mbyll kufijtë

09/08/2014 00:00

Guinea ka mbyllur kufirin me Liberinë dhe Sierra Leonen në një përpjekje për të frenuar përhapjen e virusit Ebola që deri tani ka vrarë 959 persona në këto shtete afrikane.

“Kemi mbyllur përkohësisht kufirin me Sierra Leonen dhe Liberinë duke u nisur nga lajmet që po vijnë nga këto shtete ditët e fundit”, tha Remy Lamah, ministri i Shëndetësisë së Guinesë.

Ditën e premte, Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka deklaruar përhapjen e Ebolës në Afrikën Perëndimore si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore.

Zyrtarët e OBSH-së thanë se pasojat e mundshme ishin “veçanërisht serioze”, për shkak të egërsisë së virusit.

Njoftimi erdhi pasi eksperët u mblodhën në një takim emergjent dyditor në Zvicër.
“Një përgjigje e koordinuar ndërkombëtare shihet si thelbësore për të ndalur dhe për të bërë të pasuksesshëm përhapjen ndërkombëtare të Ebolës”, thuhej në një deklaratë.

Deri më tani, shpërthimi i tij ka prekur vende si Guinea, Liberia, Nigeria dhe Sierra Leone. OBSH tha se nuk do të ketë ndalim të përgjithshëm të udhëtimeve ndërkombëtare, apo aspektit tregtar.

Gjithsesi, shtetet duhet të jenë të përgatitura të kapin, hetojnë dhe menaxhojnë rastet me Ebola, sidomos nëpër aeroporte, thuhej në të.

Top Channel