Al-Kaeda vret 14 ushtarë në Jemen

09/08/2014 00:00

Militantë të al-Kaedës kanë rrëmbyer dhe më pas kanë vrarë 14 ushtarë në lindje të Jemenit, zyrtarë lokalë dhe dëshmitarë okularë kanë bërë të ditur.

Ushtararët janë rrëmbyer në një autobus kur ata ishin duke u kthyer për në shtëpi . Zyrtarët vendas thanë se gjetën trupat e ushtarëve disa orë më vonë, pranë qytetit jugor të Seiyoun. Militantët ndaluan autobusin dhe kontrolluan dokumentat e identifikimit të ushtarëve, disa prej të cilëve u qëlluan.  

“Një incident i tillë është e sigurt që është vepër e al-Kaedës”, tha një zyrtar lokal për agjencinë e lajmeve Reuters.

Presidenti i Jemenit ka thënë më parë se shteti i tij është në luftë më organizatën terroriste. Sulmet e terroristëve kanë penguar qeverinë të vendosi stabilitetin në vend që prej protestave pro-demokracisë, të cilat detyruan presidentin e atëhershëm, Ali Abdullah Saleh të dorëhiqej, në vitin 2011.

Të paktën 25 militantë të al-Kaedës janë vrarë gjatë ditëve të fundit nga forcat ushtarake tha Ministria e Mbrojtjes së Jemenit.

Top Channel