Obama autorizon sulme ajrore në Irak

08/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama tha se ka miratuar përdorimin e kufizuar të fuqisë ajrore për të mbrojtur personelin amerikan, nëse militantët e ISIS do të përparojnë drejt kryeqytetit kurd, Arbil në të cilin SHBA ka konsullatën.

Gjithashtu, ai shtoi se do të ketë veprime ushtarake edhe nëse do të jetë e nevojshme për të ndihmuar forcat irakene, të cilat po luftojnë për të mbrojtur civilët e bllokuar në male, pas përparimit të rebelëve.  Por Obama këmbënguli se nuk do të dërgojë trupa ushtarake në terren, duke thënë se nuk kishte ndërmend që SHBA-ja të ‘zvarritej’ sërish në Irak.

“Ne bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të mbrojtur popullin tonë. Ne mbështesim aleatët tanë, kur ata janë në rrezik. Kur ne kemi aftësinë për të shmangur një masakër, atëherë unë besoj se Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë indiferente” u shpreh Presidenti Obama.

Gjatë fjalimit të tij para gazetarëve, Obama tha se SHBA-ja do të mbështesë forcat e moderuara që premtojnë për stabilitet në Irak.

Më herët, Shtetet e Bashkuara lëshuan nga ajri ndihma humanitare për mijëra persona, të cilët janë strehuar në zonat malore pas kërcënimeve me vdekje nga rebelët.

Pas marrjes nën kontroll nga ISIS të qytetit Qaraqosh, i cili është qyteti më i madh i krishterë në Irak, anëtarët e minoritetit Yazidi u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të strehohen në male.

Edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar për situatën e krijuar në veri të Irakut.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të mbështetur popullin dhe qeverinë e Irakut dhe të bëjnë të pamundurën për të ndihmuar në lehtësimin e vuajtjeve të popullit të prekur nga konflikti”, tha ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Mark Lyall Grant. Ndërkohë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se ishte i tronditur thellë me situatën aktuale.
 

Top Channel