“Malaysia Airlines”, pritet shtetëzimi total

08/08/2014 00:00

Firma shtetërore e investimeve në Malajzi, Khazanah Nasional, ka propozuar marrjen tërësisht të kontrollit të linjës ajrore kombëtare “Malaysia Airlines”.

Khazanah dëshiron të blejë aksionet, që aktualisht nuk i zotëron, të “Malaysia Airlines” dhe ta heqë nga listimi në bursë operatorin e fluturimeve ajrore.

Kompania është goditur nga dy tragjedi madhore së fundi, rrëzimi i fluturimit MH17 në Ukrainë dhe zhdukja e fluturimit MH370 në Oqeanin Indian. Dy incidentet kanë shtuar shqetësimet mbi të ardhmen e kompanisë ajrore.

Khazanah, që zotëron aktualisht 69,4% të aksioneve të shoqërisë, ka ofruar 0.27 ringgit (monedha malajziane) për aksion, për pjesën e mbetur jashtë kontrollit të saj, si dhe një 12,5% shtesë të çmimit të mbylljes në bursë gjatë së enjtes.

Tregtimi i aksioneve të “Malaysia Airlines” u pezullua të premten, përpara shpalles së kësaj nisme.

Fluturimi MH370 u zhduk më 8 Mars, teksa fluturonte nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit, duke shkaktuar një operacion masiv kërkim-shpëtimi, i cili ende vazhdon dhe mund të kushtojë miliona dollarë. Shumica e pasagjerëve në atë fluturim ishte nga Kina.

Kriza çoi në një numër të lartë anulimesh të fluturimeve dhe dëmtim të reputacionit të linjës ajrore, përfshi një rënie prej 60% të shitjeve në Kinë.

Më pas, një tjetër goditje në Korrik, kur 298 personat në bordin e fluturimit MH17 vdiqën pas rrëzimit të avionit në rajonin Lindor të Ukrainës, pranë kufirit me Rusinë. Kompania ka qenë në humbje prej vitesh, ndërsa vlera e saj në treg ka rënë me më shumë se 40%, gjatë 9 muajve të fundit.

Top Channel