
Izraeli raportoi lëshime raketash nga Gaza gjatë mëngjesit të së premtes, pasi skadoi armëpushimi 3-ditor në Lindjen e Mesme, gjë që u mbyll pa arritjen e një marrëveshjeje për ta shtyrë atë, pavarësisht përpjekjeve të shumta.
Më shumë se 18 raketa janë lëshuar drejt Izraelit, me përfundimin e afatit në 8 të mëngjesit, bënë të ditur Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF). Dy prej tyre u kapën nga sistemi mbrojtës antiraketor “Iron Dome”, 14 prej tyre ranë në hapësira të pabanuara, ndërsa 2 prej tyre ranë sërish në territorin e Gazës.
Hamasi, grupi i militantëve islamik që kontrollon Rripin e Gazës, bëri të ditur se zyrtarët palestinezë që ishin në bisedime në Kajro nuk arritën marrëveshje për shtyrjen e paqes, por negociatat duhet të vazhdojnë.
Por, zëdhënësi i qeverisë izraelite, Mark Regev, tha për CNN se rifillimi i sulmeve me raketa nënkupton që Hamasi ka “thyer premtimin fundamental të bisedimeve në Kajro”. Izraeli kishte deklaruar të enjten se dëshironte të shtynte afatet e armëpushimit pa vendosur kushte.
Dy fraksionet militantë, të cilët kanë luftuar përkrah Hamasit në Gaza, Xhihadi Islamik dhe Brigadat e Al-Nasser Salah al-Din, morën përgjegjësinë e lëshimit të raketave drejt Izraelit gjatë së premtes.
Ndërkohë, Izraeli ka urdhëruar ushtrinë e tij të rinisë sulmet ajrore në Gaza, duke e quajtur veprimin e fundit të palestinezëve si “të papranueshme, të patolerueshme dhe me vizion të shkurtër”. Edhe pse izraelitët i tërhoqën trupat e tyre nga Gaza, të martën, ata kanë ruajtur “pozicionet mbrojtëse” përreth territorit.
Top Channel