Snowden, leje qëndrimi 3-vjeçare

07/08/2014 00:00

Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i kërkuar nga drejtësia amerikane për rrjedhje të sekreteve të gjera mbi programet elektronike survejuese, ka marrë një leje qendrimi 3-vjeçare nga Rusia, bëri të ditur avokati i tij gjatë së enjtes.

Marrëdhëniet e Moskës me Perëndimin janë në nivelet më të ulta që prej periudhës së Luftës së Ftohtë, për shkak të ndikimeve të Rusisë në Ukrainë. Rusia njoftoi një embargo të importeve nga SHBA, BE, Australia, Kanadaja dhe Norvegjia, këtë të enjte, në përgjigje të sanksioneve të Perëndimit.

“Vendimi ndaj aplikimit të tij është marrë dhe, si pasojë, duke nisur që nga 1 Gushti 2014, Edward Snowden ka marrë një leje qendrimi 3-vjeçare”, tha Anatoly Kucherena. “Në të ardhmen, Edward mund të marrë vet vendimin nëse do të qëndrojë në Rusi për të marrë shtetësinë ruse, apo të largohet për në Shtetet e Bashkuara”.

Statusi i tij i ri përfshin edhe të drejtën për t’u larguar nga Rusia për një periudhë 3-mujore, shtoi avokati Kucherena. 31-vjeçari Snowden kishte planifikuar në fillimet e kësaj “krize” të udhëtonte drejt Amerikës Latine për të kërkuar azil. Madje, irritimi në Gjermani mbi programet e përgjimit të SHBA-ve nxiti edhe diskutime atje në lidhje me lejimin apo jo të Snowdenit të jetonte në shtetin e tyre. Por, deri më tani, ai ka shmangur daljen nga Rusia, për shkak se SHBA-të do të gjenin gjithsesi një mënyrë për ta arrestuar atë.

Kucherena shtoi më pas se Snowden mund të aplikonte për shtetësinë ruse në vitin 2018, pasi të kishte mbushur periudhën 5-vjeçare të të jetuarit në Rusi, por deri më tani ai ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë apo do të largohet nga Moska.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në Shtëpinë e Bardhë, Ned Price, tha se Snowden duhej rikthyer në SHBA për t’u përballur me akuzat për rrjedhje informacionesh sekrete.

“Snowden përballet me akuza kriminale këtu në SHBA. Ai duhet të rikthehet sa më shpejt të jetë e mundur, pasi këtu do t’i ofrohet një proces i plotë dhe i duhuri, si edhe mbrojtje”, tha Price.

Kucherena tha se aktualisht Snowden është duke studiuar rusishten dhe është duke punuar në një punë që ka lidhje me IT, por pa dhënë detaje të mëtejshme. “Ai është një specialist IT-je i klasit të lartë”, shtoi ai. Në fund, ai deklaroi se siguria e Snowden është një çështje serioze dhe se ai është duke përdorur roje sigurie private.

Top Channel