ISIS, Obama konsideron edhe sulmet ajrore

07/08/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka marrë në konsideratë sulmet ajrore, apo ndihmat nga ajri me ushqime dhe barna, për të adresuar krizën humanitare mes 40 mijë minoriteteve fetare në Irak, të cilët po vdesin nga i nxehti dhe etja në një zonë malore, pas kërcënimeve me vdekje nga Shteti Islamik në Irak dhe Siri (Levant) (ISIS-ISIL), kanë bërë të ditur zyrtarë të administratës amerikane gjatë së enjtes.

Presidenti, në takimet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, mëngjesin e së enjtes, ka marrë në konsideratë në sërë opsionesh, të cilat variojnë nga furnizimi nga ajri me mjete ndihmëse humanitare në Malin Sinjar, e deri te sulmet ajrore ushtarake ndaj luftëtarëve të ISIS, të cilët kanë ngritur një bazë në malin në fjalë, deklaroi një zyrtar i lartë i administratës.

“Mund të përballemi me një katastrofë humanitare atje”, shtoi një tjetër zyrtar i administratës, duke shtuar se nga Obama pritet një vendim i “pashmangshëm”, i cili mund të rezultojë edhe si një “tren i shpejtësisë së lartë”.

Administrata kishte penguar prej kohësh mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve ushtarake kundër ISIS, deri sa të formohej një qeveri e re irakene. Kjo pasi zyrtarë, si nga Shtëpia e Bardhë, ashtu dhe nga Pentagoni, kanë thënë privatisht se SHBA-të nuk do të ndërhynin ushtarakisht, deri sa kryeministri Nuri Kama al-Maliki të jepte dorëheqje.

Por, zyrtarët e administratës thanë të enjten se kriza në Malin Sinjar mund t’i detyrojë ata të shtrëngojnë masat. Rreth 40 fëmijë kanë vdekur nga i nxehti dhe nga dehidratimi, sipas UNICEF, ndërkohë që rreth 40 mijë njerëz janë fshehur për t’u mbrojtur nëpër male të thepisura, pa ushqime, ujë, apo akses në ndihma të tjera humanitare.

Zyrtarët e administratës kanë folur në kushtet e anonimatit, sepse nuk kanë qenë të autorizuar të flasin publikisht, bën të ditur “The New York Times”. Gjithsesi, njëri prej tyre tha se çdo lloj ndërhyrjeje ushtarake do të ishte “e kufizuar, specifike dhe frytdhënëse”, duke theksuar se partia politike e Malikit supozohej të shpallte një kandidat të ri për kryeministër gjatë së enjtes, gjë ende nuk ka ndodhur.

Top Channel