Gaza, ndërmjetësuesit, kundër kohës

07/08/2014 00:00

Ndërmjetësuesit po bëjnë gjithçka kundër orëve që ikin, për të zgjeruar paqen mes Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, teksa armëpushimi 3-ditor ka hyrë në orët e fundit të tij.

Izraeli ka bërë të ditur se është gati të pranojë shtyrjen për më tej të tij, pas bisedimeve mes delegatëve të Izraelit dhe palestinezëve në Kajro, me ndërmjetësimin e egjiptianëve, për dhënien fund të luftës, që thuajse ka shkatërruar tërësisht enklavën e kontrolluar nga Hamasi.

Palestinezët kërkojnë heqjen e bllokadës izraelito-egjiptiane në Gaza, si dhe lirimin e të burgosurve të mbajtur nga Izraeli. Krahu i armatosur i Hamasit tha se është gati të rinisë luftimet, për sa kohë që kërkesat e palestinezëve nuk janë përmbushur, ndërkohë që edhe Izraeli ka deklaruar se do t’i kundërpërgjigjej me forcë çdo lloj sulmi.

“Bisedime jo të drejtpërdrejta janë duke u zhvilluar dhe kemi ende kohë sot për të siguruar armëpushimin”, tha një zyrtar egjiptian, kur u pyet në lidhje me shtyrjen e paqes përtej orës 7 të mëngjesit të së premtes.

“Synimet e Egjiptit janë për të stabilizuar një paqe të gjatë, me marrëveshjen e të dy palëve, si dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje të qendrueshme armëpushimi, në mënyrë që të ketë edhe lehtësira të kufizimeve ndërkufitare”.

Delegacioni palestinez u takua me zyrtarët e inteligjencës egjiptiane në orët e vona të së enjtes, ndërkohë që zyrtarë izraelitë thanë se të deleguarit e tyre do të rikthehen në Kajro pak orë më vonë, pasi u kthyen përkohësisht në Izrael për të informuar kryeministrin Netanyahu.

Edhe pas një muaji luftimesh të ashpra, palët “armike” ende nuk po flasin kokë më kokë me njëri-tjetrin.

Top Channel