Sierra Leone, “Ebola” jashtë kontrolli

06/08/2014 00:00

Një nga vendet më të goditura nga shpërthimi i virusit “Ebola” në Afrikën Perëndimore  nuk ka kapacitetet e duhura për t’i ardhur në ndihmë personave të prekur nga virusi vdekjeprurës, ka bërë të ditur një prej anëtarëve të organizatës “Mjekët pa kufij”, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të rritur mbështetjen.

Anja Wolz, koordinatore emergjente në organizatë, tha për CNN se “Ministria e Shëndetësisë në Sierra Leone nuk mund të përballojë shpërthimin e virusit dhe se është e nevojshme nga organizatat  ndërkombëtare të shtojnë ndihmat ndaj vendit afrikan”.

Ajo shtoi se shumë persona të infektuar nuk po marrin ndihmën e nevojshme dhe nuk janë izoluar, duke u kthyer në rrezik për të tjerët.

“Njerëzit të cilët merren me varrosjen e viktimave të shkaktuara nga virusi janë të pambrojtur, duke qenë mjaft të rrezikuar për t’u infektuar. Me mjaft pacientë është e vështirë që të nisësh trajtimet pasi janë të frikësuar”, u shpreh Wolz.

Sierra Leone, Guinea dhe Liberia janë vendet më të prekura nga shpërthimi i virusit, i cili deri tani ka vrarë më shumë se 800 persona.

Liberia, vendi më i prekur dhe me numrin më të lartë të vdekjeve urdhëroi djegjen e trupave të personave që kanë ndërruar jetë nga Ebola. Ky vendim u mor pas refuzimit të komuniteteve lokale për të lejuar varrosjen në tokat e tyre.

Virusi i Ebolas kalohet nga lakuriqi i natës tek njeriu. Shenja e parë e infektimit prej tij është lodhja. Ai nuk transmetohet nga ajri dhe as nga ushqimi, por vetëm nëpërmjet gjakut të infektuar apo lëngje të tjera trupore të një personi të prekur prej tij.

Top Channel