Rusët vjedhin 1.2 miliardë fjalëkalime

06/08/2014 00:00

Një grup hakerash rusë kanë arritur të vjedhin rreth 1.2 miliardë fjalëkalime që i përkasin më shumë se 500 milionë adresa të postës elektronike, kjo është bërë e ditur nga ‘Hold Security’, një kompani amerikane e specializuar në zbulimin e shkeljeve.

‘Hold Security’ e cilësoi këtë rast si vjedhjen më të madhe të të dhënave të njohur deri më sot. Deri tani nuk janë dhënë detaje të kompanive të prekura nga hakimi. Synim i hakerave nuk kanë qenë vetëm kompanitë e mëdha, por edhe individë të ndryshëm.

“Nga kjo vjedhje janë prekur me qindra e mijëra faqe në web. Lista është e gjatë dhe përfshin shumë kompani thuajse në të gjithë botën, gjithashtu edhe një numër të madh faqesh të vogla apo personale”, thuhej në raportin e ‘Hold Security’.

“New York Times”, i cili raportoi i pari këtë lajm, tha se një ekspert i sigurisë i lidhur me ‘Hold Security’ analizoi bazën e të dhënave të kredencialeve të vjedhura dhe konfirmoi se ishte  autentike.

Një tjetër ekspert i krimit kibernetik që kishte shqyrtuar të dhënat, por nuk mund t’i diskutonte ato publikisht, tha se disa kompani të mëdha ishin në dijeni se të dhënat e tyre ishin në mesin e informacioneve të vjedhura.

Dmitri Alperovitch, zyrtari më i lartë i teknologjisë në firmën kibernetike CrowdStrike tha për ‘Reuters’ se fjalëkalimet e vjedhura mund të përdoren për të hyrë në llogari të tjera, për shkak se njerëzit zakonisht përdorin të njëjtat fjalëkalime për faqe të ndryshme.

Top Channel