Putin urdhëron sanksione hakmarrëse

06/08/2014 00:00

Rusia ka zgjeruar ndalimin e importeve ushqimore, këtë herë me Rumaninë, duke përshkallëzuar përgjigjen e saj ndaj sanksioneve “therëse” të Perëndimit, për shkak të mbështetjes së Moskës ndaj separatistëve pro-rusë në Ukrainë.

Presidenti Putin ka nënshkruar dekretin, që ndalon ose kufizon importet e produkteve të agrikulturës nga vendet, që kanë sanksionuar Rusinë, një dekret që ka fuqi 1-vjeçare, që prek edhe importet në Rusi të produkteve farmaceutike, materialeve të papërpunuara dhe artikujve ushqimorë, nga vendet që i janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit, bën të ditur agjencia e lajmeve Interfax.

Kjo lëvizje vjen pavarësisht se masat e Moskës mund të prekin gjithashtu edhe vet ekonominë e saj.

Mbikqyrësi veterinar rus “Rosselkhoznadzor” bëri të ditur gjatë së mërkurës se ka pezulluar importet e mishit të viçit dhe bagëtive të imta nga Rumania, duke cituar një shpërthim të sëmundjes së lopës së çmendur.

Moska ka vendosur ndalim importi ndaj lëngjeve dhe prodhimeve të qumshtit nga Ukraina, perimeve nga Polonia, si dhe mishit të viçit nga Australia, si dhe ka njoftuar se mund të shënjestrojë edhe frutat e Greqisë dhe pulat nga SHBA.

Gjithsesi, Banka Qendrore e Rusisë paralajmëroi të martën se ndalimi i importit të këtyre produkteve kaq të lira mund ta vështirësojnë situatën për kontrollin e inflacionit.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se ngadalësimi i inflacionit ishte më i ulët nga sa pritej gjatë Korrikut”, është cituar Banka Qendrore nga agjencia e lajmeve Interfax. Presionet inflacioniste zakonisht bien gjatë verës, falë mbërritjes së frutave dhe perimeve të lira.

Norma vjetore e inflacionit ka rënë në 7,5 gjatë Korrikut, por ende mbetet mbi përqindjen 6,5 të vitit 2013.

Ndalimet tregtare të Moskës vijnë pas sanksioneve të reja kundër sektorëve bankarë dhe energjitikë ndaj Rusisë prej Perëndimit, teksa këta të fundit e akuzojnë Kremlinin se po financon dhe furnizon me armë rebelët në Lindje të Ukrainës, të cilët po luftojnë për pavarësimin nga qeveria e Kievit.

Moska, kurrë më parë nuk i kishte lidhur ndalimet tregtare me sanksionet e Perëndimit, por pak dyshime ka tashmë, që këto masa janë si shenjë hakmarrjeje për shkak të krizës më të madhe në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Rusisë, që prej periudhës sovjetike.

Top Channel