Gaza, propozohet mision i BE-së në Rafah

06/08/2014 00:00

Gjermania, Franca dhe Britania kanë propozuar riaktivizimin e një misioni të Bashkimit Europian në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës, për t’i ardhur në ndihmë dhe për të stabilizuar enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta 1-mujore me Izraelin, ka bërë të ditur një burim nga diplomacia gjermane, të mërkurën, për Reuters.

Burimi tha se ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, si dhe homologët e tij në Paris dhe Londër, ishin në favor të rikthimit të operacioneve të BE-së në pikëkalimin Rafah, i cili përbën të vetmen dritare drejt botës për 1,8 milionë palestinezët e Gazës.

Armëpushimi në Gaza ndodhet në ditën e dytë, këtë të mërkurë, ndërkohë që ndërmjetësit egjiptianë nxisin bisedimet mes Izraelit dhe të dërguarve palestinezë për t’i dhënë njëherë e mirë fund luftës, gjatë së cilës Izraeli bombardoi një pjesë të mirë të territorit të dominuar nga islamikët e Hamasit.

I ashtuquajturi Misioni i Ndihmës Kufitare të BE-së në Rafah nisi punën në vitin 2005, për të monitoruar pikëkalimin si pjesë e marrëveshjes së arritur mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, të mbështetur nga Perëndimi. Por, operacioni u ndal dy vjet më vonë, kur militantët e Hamasit morën kontrollin e Rripit të Gazës.

Egjipti ka mbyllur shpesh herë kufirin gjatë vitit të kaluar, duke rritur ndjeshëm presionin ndaj banorëve të Gazës, të cilët përballen gjithashtu edhe me një bllokadë detare të vendosur nga Izraeli.

Burime diplomatike egjiptiane thonë se, ndërsa Kajro edhe mund të marrë në konsideratë lehtësimin e kufizimeve të lëvizjes përmes Rafah, duket se nuk do të pranojë thirrjet e Hamasit për të lejuar një fluks normal tregtar përmes këtij pikëkalimi.

Egjipti këmbëngul se çdo diskutim në lidhje me Rafahun të merret me përfaqësime bilaterale me Autoritetin Palestinez, një rival politik i Hamasit, se sa si pjesë e ndonjë marrëveshjeje mes palestinezëve dhe Izraelit për të lehtësuar bllokadën izraelite, thonë burimet.

Izraeli: Keqardhje për viktimat
Kryeministri Netanjahu: Përgjegjësia është e Hamasit. Duhet të çarmatoset

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti një konferencë për shtyp nga Jeruzalemi, për konfliktin e gjatë me palestinezët, i cili ka pushtuar Lindjen e Mesme.

Në fjalën e tij, ai tha se ndihet keq në lidhje me vdekjet e shumta në radhët e civilëve. Por, ai theksoi se Hamasi ishte ai, i cili drejtonte luftën, ndaj dhe duhet të ndihet përgjegjës për humbjet njerëzore.

Kjo konferencë u mbajt pasi Izraeli dhe Hamasi nisën bisedimet, në praninë e ndërkombëtarëve. Ata diskutuan për një marrëveshje të re kufitare, për të bllokuar Rripin e Gazës.

Izraeli ka thënë se dëshiron, që militantët islamik të Hamasit të çarmatosen, dhe kështu Izraeli do të ndihej i sigurt.

Top Channel