Gaza, Kerry kërkon zgjerim të bisedimeve

06/08/2014 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry i ka bërë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të përfitojnë nga armëpushimi në Gaza dhe të zgjerojnë bisedimet.

Kerry tha për BBC-në se duhet të shfrytëzohet situata e armëpushimit për të arritur një zgjidhje të krizës mes dy vendeve.

Në Gaza është duke u mbajtur një armëpushim 72-orësh, i cili nisi mëngjesin e së martës. Izraeli dhe Palestina kanë dërguar delegacionet e tyre në Egjipt për të diskutuar mundësinë e një armëpushimi afatgjatë të konfliktit 4-javor, nga i cili kanë mbetur të vdekur më shumë se 1900 persona.

Sekretari amerikan është shprehur se SHBA-të e mbështesin plotësisht të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.

“Në asnjë vend nuk mund të jetohet normalisht në këtë situatë dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin Izraelin për të mbrojtur vendin e tij në këto rrethana. Hamasi reagoi në një mënyrë tronditëse dhe ka pasur dëme të konsiderueshme si rezultat”, u shpreh Kerry.

I pyetur nëse ai mbështet kërkesën e palestinezëve për të hequr bllokadën Izraelite në Gaza, ai është shprehur se, “SHBA-të mbështesin palestinezët për të jetuar normalisht, të kenë mundësi të kryejnë nevojat e tyre bazë për të jetuar dhe të hapen kalimet kufitare për të pasur një liri më të madhe”.

Kerry shtoi se kjo situata duhet të kthjellojë mendjen e drejtuesve të të dy palëve për të reflektuar dhe të arrijnë në një zgjidhje për të dy shtetet.

Gjatë së martës Izraeli tërhoqi forcat jashtë Gazës dhe banorët u rikthyen për të parë banesat e tyre pas konfliktit 4-javor.

Top Channel