Egjipt, vriten 5 policë në një pikë kontrolli

06/08/2014 00:00

Të paktën 5 policë dhe 4 persona të dyshuar si trafikantë kanë mbetur të vdekur pas një shkëmbimi zjarri gjatë së martës në veri të Egjiptit.

Forcat e Sigurisë bënë të ditur se policia u përpoq për të ndaluar një automjet, i cili dyshohej se po transportonte armë dhe eksploziv. Ngjarja ndodhi në provincën Marsa Matrouh, në një zonë bregdetare, e cila është mjaft ë e populluar gjatë kësaj periudhe.

Pas rrëzimit të Presidentit Mohamed Mursi, Egjipti u godit nga një kryengritje islamike, kryesisht në Gadishullin e Sinait pranë Izraelit.

Zyrtarët e sigurisë thonë se militantët që veprojnë në Libi janë duke u përpjekur për të krijuar lidhje me islamikët në Sinai. Ata shprehen se militantët paguajnë trafikantë për të transportuar armë drejtë Egjiptit.

Sipas Forcave të Sigurisë trafikantë kanë hapur zjarr ndaj policisë, pasi u ndaluan në një pikë kontrolli.

Rreth një muaj më parë, persona të armatosur vranë 21 roje kufitare egjiptiane në afërsi të kufirit me Libinë. Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi ka shprehur në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth militantëve, të cilët kanë futur në kaos Libinë dhe kanë kryer disa operacione pranë kufirit.

Top Channel