Afrika dhe “hija e Bushit” për Obaman

06/08/2014 00:00

Uashingtoni dëshiron të forcojë marrëdhëniet tregtare me partnerët e tij të Afrikës. Presidenti Barack Obama tha se është koha për të transformuar marrëdhëniet e SHBA-ve me Afrikën.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi për një investim prej 14 miliardë dollarësh në kontinentin afrikan. Më shumë se 90 kompani amerikane janë të gatshme të angazhohen në sektorët e ndërtimit, energjisë, sistemeve bankare dhe të teknologjisë.

Në fjalën e tij, Obama tha se Afrika është një kontinent i fortë, pavarësisht sfidave me të cilat përballet, duke përfshirë këtu edhe shpërthimin e fundit të virusit vdekjeprurës të Ebolës.

Ndërsa në Uashington DC, Zonja e Parë Michelle Obama dhe ish-Zonja e Parë, Laura Bush, do të mbajnë një konferencë me bashkëshortet e liderëve afrikanë, për t’u fokusuar në arsim dhe shëndetësi.

Presidenti Obama e mbylli fjalën e tij duke thënë se ai qëndron përpara Afrikës me postin e presidentit të SHBA-ve, por ai qëndron edhe si biri i një njeriu nga Afrika, duke shtuar se “lidhjet mes dy kontinenteve janë thellësisht personale dhe të ndjera”.

Kur presidenti Barack Obama zhvilloi të parin udhëtim të zgjatur në Afrikë, vitin e kaluar, si lideri më i fuqishëm i botës, ai u përpoq të qetësonte një kontinent të zhgënjyer masivisht nga djali i famshëm dhe i preferuar i Afrikës.

Si presidenti i parë afrikano-amerikan, Obama i dha shumë pak fokus shtëpisë së paraardhësve të të atit të tij, duke nxitur krahasime jo të favorshme me George W. Bush, përpjekjet e të cilit për të luftuar HIV/AIDS e bënë atë një hero në kontinentin afrikan.

Tani, më shumë se 1 vit më vonë, kur shumica e liderëve afrikanë priten të marrin pjesë në një samit në Uashington me ftesë të Obamas, presidenti amerikan përballet ende me një sfidë të ngjashme me trashëgiminë afrikane të paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë 8 viteve të Presidencës Bush, ndihma për zhvillimin e Afrikës “nën-Sahariane” u katërfishua në rreth 6,7 miliardë dollarë, sipas J. Peter Pham, drejtor i ACAC (Atlantic Council Africa Center).

Kjo ndihmë ka qendruar thuajse e paprekshme nën drejtimin e Obamas, pavarësisht uljes me 20% të ndihmave përtej detit në përgjithësi, që kur ai mori pushtetin në vitin 2009.

I lindur në Hauai, nga një baba me ngjyrë nga Kenia, dhe një nënë e bardhë nga Kansasi, Obama mund të mos dëshirojë të shihet si favorizues i një pjese të botës, për shkak të origjinës së familjes së tij, bëri të ditur presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, gjatë së hënës.

“Formimi kulturor i Obamas ka influencuar marrëdhënien e tij me Afrikën. E ka bërë atë ta trajtojë me kujdes”, tha Zuma. “Besoj se mund të kishte bërë më shumë, por mendoj se ai ka qenë i kujdesshëm në këtë pikë, ndaj dhe e ka menaxhuar situatën shumë mirë”.

Top Channel