“Fluturon” avioni i drogës

05/08/2014 00:00

Rreth tre muaj nga ulja e avionit dhe bllokimi i rrotës së parë në rënën e Plazhit të Divjakës, mesditën e martës mjeti fluturues do të ngarkohej në një kamion për t’u larguar nga atje.

Kamera e Top Channel ka filmuar momentet e operacionit të ndërmarrë nga ushtria shqiptare për çmontimin dhe largimin e avionit.

“Ushtria shqiptare ka dhënë ndihmën e saj teknike dhe transportin e avionit i cili mbetet një provë e cila vijon të posedohet nga Policia e Shtetit”, kështu ka deklaruar Edlira Prendi këshilltare për median në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pavarësisht dëshirës së shprehur nga banorët e zonës së Divjakës për mos ta zhvendosur avionin dhe kthyer atë në një atraksion turistik, fati avionit më të përfolur në Shqipëri tashmë janë magazinat e Policisë së Shtetit.

Që prej 10 Majit 2014 avioni i pilotit italian i cili u përpoq të transportonte drogë, i ngecur  në plazhin e Divjakës u kthye në një vend peligrinazhi.

I kthyer në një “mollë sherri” me akuza dhe kundra akuza atë kohë mes opozitës dhe maxhorancës, avioni i tipit Piper vizitohej përditë nga qindra kureshtar të cilët ndiqnin nga ekranet deklaratat që lidheshin me këtë avion.

Top Channel