Afganistan, vritet Gjenerali amerikan

05/08/2014 00:00

Një ushtarak është vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur, përfshi një Gjeneral gjerman, kur një person i veshur me uniformë ushtarake afgane qëlloi ndaj të tjerëve në akademinë stërvitore ushtarake britanike në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul. Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate të ushtrisë gjermane.

Revista gjermane “Der Spiegel” raportoi se viktima e këtij agresioni ishte një Gjeneral amerikan me dy yje, por ky njoftim nuk është konfirmuar nga forcat ndërkombëtare në Afganistan.

Ndërkohë, sipas raportimeve të CNN, nga sulmi i të martës në Kabul ka vdekur një ushtar i NATO-s. Një zëdhënës i Pentagonit tha për CNN se viktima ishte i kombësisë amerikane, ndërsa numrin e të plagosurve e rriste në 15 të tillë.

Më herët, ushtria gjermane kishte raportuar se njëri prej të plagosurve ishte një Gjeneral brigade gjerman.

Agresori, i cili u përshkrua nga Ministria afgane e Mbrojtjes si “një terrorist”, u qëllua për vdekje nga ushtarët afganë.

Forcat Ndihmëse për Sigurinë Ndërkombëtare të NATO-s bënë të ditur se incidenti ndodhi mes afganëve lokalë dhe trupave të ISAF në kampin Qargha.

Edhe në të kaluarën, në Afganistan janë shënuar raste të tilla, kur persona të veshur me uniformën e forcave afgane të sigurisë kanë sulmuar forcat e koalicionit perëndimor, të cilët kanë punuar për të shmangur ngjarje të tilla.

Top Channel