Rusi, firma turistike Labirint falimenton

04/08/2014 00:00

Rreth 27 mijë turistë rusë kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit, pasi firma turistike “Labirint” pezulloi operacionet e saj për arsye ekonomike.

Në deklaratën e kompanisë, të publikuar në rusisht, fajësohej përkeqësimi i kursit të këmbimit të rublës, si dhe “situata negative politike dhe ekonomike” e vendit.

Këto duket se janë shenjat e para, që tregojnë se sanksionet e SHBA-BE ndaj Rusisë, për shkak të ndikimit të Moskës në trazirat në Ukrainë, po dëmtojnë gjerësisht ekonominë në tërësi, përfshi edhe investimet e Perëndimit në Rusi.

Një manjat rus tha se avioni i tij privat nuk ishte lejuar të udhëtonte për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë.

Biznesmeni miliarder, Gennady Timchenko, njeri i afërt me presidentin Vladimir Putin, tha për agjencinë ruse të lajmeve “Itar-Tass”, se kompania “Gulfstream” nuk ofronte më shërbimin për avionin e tij dhe se pilotët nuk lejoheshin të përdornin pajisjet naviguese të kompanisë.

Top Channel