Të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, një grup qytetarësh kanë protestuar përpara ambienteve provizore të Bankës Kombëtare duke kërkuar largimin e guvernatorit Fullani pas grabitjes së më shumë se 7.1 milion dollarëve nga kjo bankë.
Protestuesit nëpërmjet thirrjeve të tyre kanë kërkuar nga mazhoranca qeverisëse dhe opozita të reagojnë dhe mos të vijojnë të mbajnë në mbrojtje Ardian Fullanin.
“Ai duhet të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe Prokuroria duhet ta hetojë e ta dënojë nëse del fajtor. Fullani është i dyshuari kryesor i këtij krimi, duhet të shkojë në burg. Ka bërë spektakël me paratë e shqiptarëve”, thonë qytetarët.
Pjesë e protestës ishin edhe një grup gazetarësh: “Të zotit të shtëpisë i janë vjedhur miliona euro dhe ai ka një qetësi totale. Një person që nuk e bën dot punën e vet duhet të dorëhiqet.”
Kjo ishte një protestë e paprecedentë pasi për herë të parë, pavarësisht shumë problemeve financiare që ka kaluar Shqipëria 24 vitet e fundit, u protestua duke kërkuar largimin nga drejtimi Bankës Kombëtare të Ardian Fullanit.
E ndërsa kjo grabitje vijon të hetohet nga Prokuroria, mazhoranca qeverisëse nuk e ka ende një qëndrim zyrtar sikurse edhe opozita e cila deri më sot nuk është deklaruar për këtë skandal me të tilla përmasa në zëmër të institucionit më të rëndësishëm financiar të vendit.
PD: Të reformohet siguria në BSH
“Pas vjedhjes së floririt, ky është një tjetër rast i rëndë në Thesarin e shtetit”
Pas dy javësh, opozita ka thyer heshtjen për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shtetit, duke e quajtur atë një rast të rëndë dhe goditjen e radhës së hajdutëve, pas vjedhjes së floririt.
Zëdhënësja e kësaj partie tha se është e nevojshme të reformohet i gjithë sistemi i sigurisë në këtë bankë, si dhe mekanizmi i rekrutimit të nëpunësve.
“Inkurajojmë organet e drejtësisë të kryejnë hetimet e plota dhe të gjithanshme, e të nxjerrin përpara drejtësisë të gjithë shkelësit e ligjit. Ky është një rast i rëndë. Pas vjedhjes së floririt, grabitësit godasin sërish. Sistemi bankar ka nevojë të reformojë procedurat e sigurisë dhe përzgjedhjes së burimeve njerëzore. Ne inkurajojmë organet e drejtësisë të bëjnë, pa vonesë, punën e tyre për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vënien përpara drejtësisë e përgjegjësisë penale e ligjore të përgjegjësve, pa asnjë përjashtim. Banka e Shtetit është pjesë e sigurisë kombëtare. Lojrat për kapital politik janë të papranueshme për ne”, u shpreh zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.
Top Channel