Toka e minuar e qeverisjes “Rama”

02/08/2014 00:00

Zamira Cavo – Në ndërrimin e pushteteve zakonisht bëhet kujdes që vazhdimësia të ruhet e të mos cenohet.

Sami Frashëri dikur e kishte shumë merak vazhdimësinë, pasi nëse nisim gjithnjë “nga e para”, vendi mbetet, si ka mbetur deri më sot, në gropën që i hap vetes! Ndaj kam qenë dhe jam e bindur që kjo vazhdimësi duhet mbajtur gjithnjë parasysh; dikush para teje ka bërë diçka. Dhe në rastin kur sistemi ka pasur nevojë për ndryshim rrënjësor, sërish një thelb i mirë ka ekzistuar padyshim. Por e keqja qëndron gjetiu. Në këtë Shqipërinë tonë, çdo qeverisje ka hapur aq shumë gropa sa tashmë është shumë e vështirë të mbyllen. Në 300 ditët e qeverisjes Rama, sigurisht që ka pasur progres, megjithëse larg pritshmërive të njerëzve. Them larg pritshmërive, sepse pritshmëritë kanë qenë shumë të mëdha, ndaj kjo qeveri mori aq shumë vota! Por realiteti i përditshëm na mbush me ngjarje të panumërta. Vjedhjet, shpërdorimet, vrasjet, koalicionet, kriminelët… prokuroria, gjykata, mbushin lajmet nga mëngjesi deri në mbrëmje duke asfiksuar jetën dhe shpresën. Realisht çfarë po ndodh?

Vazhdoj të ngulmoj në një problem: Qeveria Rama ecën mbi mina! Shqipëria i ngjan vërtet një fushe të “minuar”. Ç’do të thotë kjo?

Së pari, “minat” janë lënë kudo nëpër sektorë të ndryshëm të jetës sonë, të lëna aty nga qeverisja Berisha. Në ditët e para të punës së tyre, ministrat e rinj folën për abuzime të mëdha miliona euroshe nga zyrtarë të qeverisjes së mëparshme. Kaluan 300 ditë dhe asnjeri prej tyre nuk mbajti përgjegjësi ligjore. Kjo do të thotë se ose nuk ka pasur abuzime, vjedhje e shpërdorime (gjë për të cilën jam tërësisht e bindur se ka pasur) ose prokuroria nuk di apo nuk do të kryejë detyrat e saj. Në të dyja rastet, qeveria Rama mund të ndërhyjë: Ajo ka legjitimitetin të bëjë ndryshimet e duhura në prokurori! Nuk mund të shkohet gjatë me “frikë” se mos të “huajt” nuk na kuptojnë etj., etj. Faktet po tregojnë se çdo ditë e më shumë “minat” janë të gatshme të hedhin në erë jo 300-ditëshin, por edhe vetë qeverinë Rama!

Së dyti, personalisht jam e bindur se çdo qeverisje ka nevojë për opozitë të fortë. Por kjo opozita jonë politike është më shumë se qesharake, pasi është vetë shkaktare e asaj që kritikon. Është njësoj sikur hajduti të bërtasë “kapeni hajdutin”, ndaj zëri i saj është i pabesueshëm, madje acarues. Por edhe në këtë rast, fatura i shkon qeverisjes Rama për mungesën e aftësisë për të “çminuar” minat e vëna nga opozita e sotme ose qeverisja e djeshme. Dëgjoj me shumë vëmendje z. Basha, ndoshta ka të drejtë në ato gjysmë të vërtetat që thotë, por ai dhe të tjerë si ai, duhet të ishin ulur në bankën e të akuzuarve për shpërdorimet shumëmilionëshe që kanë bërë dhe për shumat marramendëse që kanë vjedhur nga xhepat tanë. Mungesa e një opozite politike të shëndetshme është si një “minë” tjetër, e cila do të shkaktojë në të ardhmen edhe më shumë probleme. Nga njëra anë, kjo mungesë do e lejojë qeverinë të bëjë “punëra” sipas qejfit, pasi askush nuk do të besojë më një elitë politike që shkatërroi institucionet dhe vodhi shqiptarët, nga ana tjetër kjo mungesë do t’u japë “forcë” grupeve të reja që me siguri kanë filluar të konturohen. Por në kushtet e ekstremizmit që po sundon në botë, mes tyre mund të gjendet gjallërime të frikshme ekstremiste. Ndaj e konsideroj detyrë të jashtëzakonshme të forcave intelektuale e përparimtare krijimin e një opozite të shëndetshme, jashtë mllefeve e interesave personale. Në Partinë Demokratike ka shumë njerëz të tillë që mund ta ribëjnë këtë parti. Por jashtë partive ka me qindra të tillë!

Së treti, “mina” tjetër është vënë me dashje ose jo nga vetë z. Rama. Aleanca me LSI-në është padyshim një “minë” e vendosur kushedi se ku, e që mund të shpërthejë në çdo moment. Nuk po merrem gjatë me këtë argument, pasi jam marrë edhe herë të tjera, por ama sërish qeverisja Rama nuk po reagon. Madje perceptimi i mjaft njerëzve është se LSI-ja po minon me dashje parimet bazë mbi të cilat fitoi vota aleanca! Telenovela popullore mbi LSI-në vazhdon me episode të përditshme, me fakte të qena e të paqena mbi shpërdorimet, abuzimet dhe paaftësinë për të qeverisur… E mjaftueshme për të qenë një “minë” nën qeverisjen e sotme.

Së katërti, institucionet e pavarura janë “minat” e tjera, nëpër të cilat detyrohet të shkelë qeverisja. Gjyqësori, por edhe Banka e Shqipërisë tregojnë se sa e rrezikshme është e ardhmja e vendit dhe sa e vështirë ndërhyrja e qeverisë. Por edhe këtu nuk gjej justifikime. Si ka mundësi që nuk i kërkohet z. Fullani të japë dorëheqjen? Mund të justifikohet me faktin se është institucion krejtësisht i pavarur… por nuk është Zoti! Pra ka mekanizma që mund dhe duhet të vihen në përdorim. Por sërish justifikime…

Së fundmi, qeverisja “Rama” e ka detyrë të çminojë jetën e shqiptarit. Ndaj premtoi rilindje. Çminuesi duhet të jetë i aftë ta bëjë këtë, por edhe të ketë mundësitë. Këtu dyshoj për rrugëzgjidhjen. Mungesa e profesionalizmit dhe sidomos mosmarrja në kohë e vendimeve, nuk garantojnë “çminim”. Por edhe fakti që në grupin parlamentar të mazhorancës ka deputetë të përfolur për lidhje të ngushta me krimin, e bëjnë shumë të vështirë ecjen përpara.

Si konkluzion, them se: Nëse nuk dënohen fajtorët e kësaj gjendjeje, Shqipëria nuk do ta gjejë rrugën e së ardhmes. Ndëshkimi, sado i pamundur duket, është tërësisht i mundur nëse faktet janë aty. Dhe nëse dosjet nuk shqyrtohen nga prokuroria, kjo e fundit mund të ndryshohet nga Parlamenti! Nëse Kryeministri, në vend që të qëndrojë syçelë, fërkon shpatullat e individëve që kanë qenë shkaktarë të “minave” të vendosura nga qeverisja e mëparshme, një ditë me siguri që do të shkelë në njërën prej tyre… Por edhe në këtë rast humbja do të jetë e të gjithëve ne.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel